BALLKANI

Tiranë, Fondacioni Turk Maarif aktivitet për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Nxënësit e shkollës që administrohet nga Fondacioni Turk Maarif, interpretuan këngë, valle dhe recituan poezi me temë për Pavarësinë e Kosovës, duke krijuar një atmosferë festive

Fatjon Cuka  | 17.02.2020 - Përdıtësım : 18.02.2020
Tiranë, Fondacioni Turk Maarif aktivitet për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ( Olsı Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Zyra e Fondacionit Turk Maarif (TMV) në Shqipëri organizoi një aktivitet artistik me rastin e 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke dhe nxënësve, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e aktivitetit të organizuar në Tiranë në ambientet e shkollave që administrohen nga TMV ishte këshilltari për çështjet e arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Atakan Doğan, zëvendësdrjetuesja e Zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Erinda Zhupani, administratori i gjimnazit "New York High School” dhe shkollës 9-vjeçare "New York Basic Education", Mehmet Işıker, mësues, prindër dhe nxënës.

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare "New York Basic Education", që administrohet nga Fondacioni Turk Maarif, interpretuan këngë, valle dhe recituan poezi me temë për Pavarësinë e Kosovës, ndërsa krijuan një atmosferë festive.

Për të pranishmit u ekspozuan edhe disa punime në piktura të nxënësve të shkollës "New York Basic Education", që i kushtoheshin Kosovës dhe Shqipërisë.

Me flamujt e Shqipërisë, Turqisë dhe Kosovës në duar nxënësit e pranishëm me programin artistik përcollën mesazhet e solidaritetit, ndërsa për të pranishmit u servir edhe torta me simbolet e Kosovës.

Fondacioni Turk Maarif administron disa institucione arsimore në Shqipëri, si Universitetin New York Tirana , gjimnazet “New York High School” dhe “IMSA High School Elbasan”, shkollën 9-vjeçare "New York Basic Education" dhe kopshtin “IMSA Farm-Kindergarten”.

Me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, institucione të ndryshme në Shqipëri kanë organizuar aktivitete festive, ndërsa para godinës së Bashkisë së Tiranës është vendosur një flamur i madh i Republikës së Kosovës, duke tërhequr edhe vëmendjen e qytetarëve.

Kujtojmë se sot Kosova shënon 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ku me rastin e kësaj dite janë organizuar aktivitete festive dhe ceremoni zyrtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.