Tiranë, Fondacioni i Xhamisë së Namazgjasë organizon iftar
Në programin e iftarit ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri

Tiranë
Fondacioni i Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë ka organizuar një program iftari me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme, raporton Anadolu.
Në iftarin e organizuar në ambientet e një hoteli në kryeqytet ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri.
Bilal Teqja, myftiu i Tiranës dhe imami i Xhamisë së Namazgjasë, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se Muaji i Ramazanit është muaji ku zemrat bashkohen dhe hendeqet zvogëlohen dhe ku mirëkuptimi dhe dashuria për njëri- tjetrin arrijnë në nivele më të larta.
"Nga Ramazani në Ramazan besimtarët muslimanë e gjejnë veten më të ndërgjegjshëm, më të formuar shpirtërisht, por edhe më të prirur drejt statusit të qytetarit model", tha Teqja.
Ai theksoi se nga Ramazani në Ramazan besimtari mysliman është më i dashur me familjen e tij, me të afërmit e tij, me kolegët, por edhe me komunitetet e tjera të besimtarëve.
Teqja u shpreh ndër të tjera se agjërimi është thirrja për të ndërtuar një vetvete më të mirë.
Xhamia e Namazgjasë në Tiranë u inaugurua më 10 tetor të vitit 2024 me një ceremoni me pjesëmarrjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë.