TIKA ndërton kënd të ri të lodrave në institucionin parashkollor "Yllkat" në Prishtinë
Në fjalën e tij, kryetari i TIKA-s, Eren deklaroi se ata kanë zbatuar projekte në çdo vend të Ballkanit dhe në më shumë se 170 vende të botës
Prishtinë
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ka ndërtuar një kënd lodrash në institucionin parashkollor "Yllkat" në Prishtinë, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e hapjes së mbajtur në institucionin parashkollor morën pjesë kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunc Angili, koordinatorja e TIKA-s për në Prishtinë, Fulya Aslan, zëvendëskryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi si dhe përfaqësues të institucioneve turke në vend, mësimdhënës dhe fëmijë.
Në fjalën e tij, kryetari i TIKA-s, Eren deklaroi se ata kanë zbatuar projekte në çdo vend të Ballkanit dhe në më shumë se 170 vende të botës. Ai theksoi se ata kanë zbatuar më shumë se 850 projekte në Kosovë që nga viti 2004, përfshirë 160 në fushën e arsimit.
"280 fëmijë po marrin arsim së bashku në këtë shkollë. Është kënaqësi e madhe për ne që kemi krijuar një kënd lojërash që do të kontribuojë në zhvillimin e tyre dhe do t'i ndihmojë ata ta vlerësojnë edhe më shumë këtë çerdhe dhe kopsht. Ne e dimë se kur këta fëmijë të shohin flamurin turk dhe yllin e gjysmëhënën, ata do ta kujtojnë Turqinë për gjithë jetën e tyre dhe nuk do ta harrojnë kurrë", tha Eren.
Në fjalën e tij, ambasadori Angili vuri në dukje se Turqia dhe Kosova janë dy vende mike dhe vëllazërore.
Angili po ashtu theksoi se aktualisht shumë fëmijë po përballen me vuajtje të mëdha, veçanërisht në Gaza, Sudan dhe gjetiu në botë. "TIKA po punon për t'u sjellë buzëqeshje fëmijëve jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë rajone të botës me 56 zyrat e saj koordinuese. Unë besoj se kjo është një përpjekje shumë kuptimplote dhe e vlefshme, përtej aspektit financiar", tha Angili.
Drejtoresha e institucionit parashkollor "Yllkat", Rifadije Sopi tha se bashkëpunimi me TIKA-n është dëshmi e miqësisë në mes të popullit të Kosovës dhe popullit të Turqisë. "Në këtë formë ne kemi krijuar dimension të ri kulturor dhe arsimor për fëmijët tanë, duke forcuar lidhjet mes dy popujve dhe duke rritur socializimin mes dy kulturave", tha Sopi.
Ajo tha se tek "Yllkat" ekziston një klasë turke për fëmijët 1 deri në 4 vjeç e cila funksionon nga viti 2020 ndërsa në tërësi të këtij institucioni janë të përfshirë edhe fëmijë të grupmoshave të tjera të komunitetit turk dhe që janë të sistemuar së bashku me moshatarët e tyre.
Zëvendëskryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi tha se TIKA ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës që nga viti 2004 duke përmirësuar infrastrukturën arsimore, atë shëndetësore, duke mbështetur bujqësinë si dhe duke ruajtur trashëgiminë kulturore.
Pas fjalimeve, fëmijët performuan një valle ndërsa ceremonia përfundoi me prerjen e shiritit për këndin e lojërave të kopshtit "Yllkat".
