BALLKANI

TIKA dhe Fondacioni T3 do të themelojnë Qendrën Shkencore Shkup

"Në këtë qendër, që do të ndërtojmë në Shkup, do të ofrojmë trajnime praktike teknologjike për fëmijët dhe të rinjtë", tha Eren

Dzihat Aliju  | 28.03.2026 - Përdıtësım : 28.03.2026
TIKA dhe Fondacioni T3 do të themelojnë Qendrën Shkencore Shkup Foto: TIKA

Shkup

Agjencia për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Fondacioni i Ekipit Teknologjik të Turqisë (Fondacioni T3) do të themelojnë Qendrën Shkencore Shkup (Bilim Uskup) në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu.

Protokolli zyrtar për ngritjen e qendrës "Bilim Uskup" u nënshkrua nga kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren dhe kryetarja e Bordit Drejtues të Fondacionit T3, Elvan Kuzucu Hidir.

"Në përputhje me Vizionin e Lëvizjes Kombëtare të Teknologjisë, vazhdojmë bashkëpunimin me Fondacionin T3 për ta çuar shkencën, teknologjinë dhe artin te masa më të gjera. Në këtë qendër, që do të ndërtojmë në Shkup, do të ofrojmë trajnime praktike teknologjike për fëmijët dhe të rinjtë", tha Eren, duke folur në ceremoninë e nënshkrimit

Eren theksoi se pas Kirgistanit dhe Malit të Zi, me këtë qendër që do të realizohet në Maqedoninë e Veriut synohet të kontribuohet në formimin e shkencëtarëve dhe liderëve të ardhshëm të teknologjisë, duke shtuar se nëpërmjet bashkëpunimit TIKA-Fondacioni T3, vizioni i Lëvizjes Kombëtare të Teknologjisë do të zgjerohet edhe në arenën ndërkombëtare.

Nga ana e saj, Hidir njoftoi se që nga viti 2017 kanë realizuar projekte që i afrojnë të rinjtë me shkencën dhe teknologjinë në 81 provincat turke dhe në gjeografi mike.

"Me punëtoritë 'provo-bëje' dhe qendrat tona shkencore, duke ndjekur nga afër teknologjitë aktuale, vazhdojmë programet tona edukative", tha ajo.

Duke theksuar rëndësinë e shtrirjes së kësaj përvoje në arenën ndërkombëtare, Hidir shprehu besimin se këto qendra do të kontribuojnë në rritjen e kompetencave të të rinjve në fushën e shkencës dhe teknologjisë, si dhe do të krijojnë një infrastrukturë të fortë për realizimin e nismave kombëtare teknologjike të vendeve.

Në kuadër të protokollit, "Bilim Uskup", që do të realizohet në qendër të qytetit të Shkupit, do të ofrojë një ekosistem modern arsimor që i afron fëmijët dhe të rinjtë me shkencën.

Në qendër synohet që përmes punëtorive të ndryshme të mbështetet njohuria teorike me trajnime praktike.

Krahas teknologjisë, "Bilim Uskup" do të fokusohet gjithashtu në shkencat natyrore dhe artin.

Në këtë qendër do të realizohen eksperimente mbi ekologjinë dhe biologjinë njerëzore, ndërsa në punëtoritë e dizajnit do të zhvillohen aktivitete në fusha të artit tradicional dhe modern si ebru, tezhip dhe dizajni në dru.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.