"The Telegraph": Nacionalistët serbë që luftojnë për Rusinë, po përgatiten për një luftë të re në Ballkan
Gazeta britanike "The Telegraph" pretendoi se qindra serbë kishin shkuar në zonat e konfliktit, veçanërisht për të siguruar mbështetjen ruse në "rimarrjen" e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës
Shkup
Gazeta britanike "The Telegraph" pretendoi se pas luftërave në Ballkan në vitet 1990-të, një brez i ri nacionalistësh serbë po përgatitet për konflikte të reja në rajon, transmeton Anadolu.
Pasi shqyrtoi llogaritë në rrjetet sociale të disa nacionalistëve serbë që pretendonin se luftojnë në Ukrainë, "The Telegraph" pretendoi se qindra serbë kishin shkuar në zonat e konfliktit, veçanërisht për të siguruar mbështetjen ruse në "rimarrjen" e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Raporti pohoi se serbët po shkonin në Ukrainë në këmbim të parave dhe se këto pretendime mund të shkaktojnë shqetësim të ri në rajon pas luftërave në Bosnjë e Hercegovinë (1992-1995) dhe Kosovë (1998-1999), ku u vranë dhjetëra mijëra njerëz.
Nacionalisti serb, Darko Ristic, dyshohet se ka bërë deklarata nacionaliste në llogaritë e tij në rrjetet sociale, duke pretenduar se sapo të përfundojë "misioni" i tyre në Ukrainë, serbët do të luftojnë për të rimarrë "atë që është e tyre".
Analisti Srecko Latal, mendimi i të cilit u përfshi në lajm, tha gjithashtu se "ndjenjat nacionaliste të të rinjve serbë po vihen në shënjestër". "Ekziston një besim i përhapur midis këtyre ekstremistëve se Rusia një ditë do ta shlyejë borxhin e saj të gjakut dhe do të ndihmojë në rithemelimin e Serbisë së Madhe", tha ai.
Gazeta "The Telegraph" pretendoi se këta nacionalistë serbë kishin grumbulluar një numër të konsiderueshëm ndjekësish në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
