BALLKANI

Thaçi: Kuvendi t'ia ndalojë kryeministrit Hoti të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës

"Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe", tha Thaçi

Agim Sulaj  | 16.09.2020 - Përdıtësım : 17.09.2020
Thaçi: Kuvendi t'ia ndalojë kryeministrit Hoti të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës

Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi një ditë para takimit të radhës të grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë më 17 shtator në Bruksel ku pritet të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka thënë se një gjë e tillë është “fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës”, transmeton Anadolu Agency (AA) .

Në një deklaratë për media nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës thuhet se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.

“Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prill të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, shkruan Zyra e Presidentit.

Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel për presidentin Thaçi është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës, ndërsa diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është “në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë”.

Më tej, Thaçi ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht ta trajtojë këtë hap të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Gjithashtu sipas presidentit, Kuvendi duhet ta votojë urgjentisht edhe një rezolutë me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.

Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumice serbe është pjesë e marrëveshjes së arritur në prill të vitit 2013 në bisedimet e Kosovës me Serbinë dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve.

Ajo çfarë ka zgjuar polemika dhe është diskutuar më shumë rreth Asociacionit janë kompetencat që pritet t’i ketë ai. Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.