Talat Xhaferi rizgjidhet Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
Me 62 vota "për", 43 "kundër" dhe asnjë abstenim, Talat Xhaferi nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Shkup
Sot u mbajt vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku Talat Xhaferi u rizgjodh kryeparlamentar, raporton Anadolu Agency (AA).
Ruçi uron Xhaferin për rizgjedhjen në krye të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
Me 62 vota "për", 43 "kundër" dhe asnjë abstenim, Talat Xhaferi nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pas zgjedhjes, Xhaferi bëri deklaratën solemne me të cilën menjëherë mori detyrën.
Deputetët nga opozita VMRO-DMPNE që votuan kundër, u larguan nga salla e parlamentit pas votimit. Partia “E Majta”, siç deklaruan në debat, gjithashtu votoi kundër propozimit, ndërsa deputetët nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, siç njoftuan, nuk morën pjesë në votim.
Xhaferi, të cilit iu dha një mandat i ri katërvjeçar si kryetar i parlamentit, pas përfundimit të seancës konstitutivve dha një deklaratë për mediat, në të cilën falënderoi 62 deputetët nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), BDI dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), pasi, siç tha ai, qëndruan prapa kandidaturës së tij dhe për besimin e shprehur në aktin e votimit.
Xhaferi falënderoi gjithashtu deputetët e opozitës, të cilët, siç deklaroi, e pasuruan debatin dhe kontribuan për vlerat demokratike në parlament.
"Unë mbetem i qëndrueshëm në pikëpamjet dhe përcaktimet e mia që në periudhën tjetër të jem kryetari i të gjithë 120 deputetëve, pavarësisht nëse ata votuan ‘për’ ose ‘kundër’ ose fare nuk morën pjesë në aktin e votimit. Kjo do të jetë një periudhë sfidash për shumicën parlamentare dhe opozitën. Të gjithë ne përmes debateve do të duhet të pasurojmë jetën demokratike parlamentare në vend dhe të kontribuojmë edhe në mënyrë edukative për gjeneratat që do të vijnë në mandatet e ardhshme këtu në parlament, por natyrisht që demokracia parlamentare lejon çdo gjë", tha Xhaferi.
Me zgjedhjen e sotme të Xhaferit si kryetar i kuvendit, mbaroi seanca konstitutive e cila filloi më 4 gusht.
Ndryshe, zgjedhja e kryetarit të kuvendit kërkon një shumicë të thjeshtë, së paku 61 deputetë nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Talat Xhaferi ishte zgjedhur kryetar i kuvendit edhe në prill 2017, ndërsa kjo përbërje parlamentare u shpërnda në shkurt të këtij viti për shkak të zgjedhjeve të shpallura për në prill, të cilat më vonë u shtynë për më 15 korrik për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut, filluan negociatat midis partive politike për përbërjen e qeverisë së re. Më 13 gusht, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ia dha mandatin për formimin e qeverisë së re kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili drejtoi koalicionin "Mundemi", që fitoi numrin më të madh të votave në zgjedhje.
Më 18 gusht, LSDM dhe BDI njoftuan se kishin arritur një marrëveshje për të krijuar një shumicë parlamentare në të cilën, përveç dy partive, do të marrë pjesë edhe PDSH.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), koalicioni "Mundemi" i kryesuar nga LSDM fitoi shumicën e vendeve në parlament, gjithsej 46, i ndjekur nga VMRO-DPMNE me 44, Bashkimi Demokratik për integrimi (BDI) me 15 vende, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me 12, “E Majta” 2 dhe PDSH 1 vend.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.