BALLKANI

Takimi ministror SEDM në Sarajevë: Misajllovski thekson rëndësinë e nismave rajonale për sigurinë e rajonit

"Paqja e qëndrueshme kërkon qasje gjithëpërfshirëse, që përfshin shumë më tepër sesa masa ushtarake, përfshin diplomaci, përgjegjësi dhe llogaridhënie, mbështetje humanitare dhe zhvillim afatgjatë", tha Misajllovski

Abdulbesar Ademi  | 27.11.2025 - Përdıtësım : 27.11.2025
Takimi ministror SEDM në Sarajevë: Misajllovski thekson rëndësinë e nismave rajonale për sigurinë e rajonit Foto: Ministria e Mbrojtjes e RMV

Shkup

Sot në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës është mbajtur takimi i nismës së Ministerialit të Mbrojtjes për Evropën Juglindore (SEDM), i cili qëllim kryesor ka përmirësimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon përmes zhvillimit të bashkëpunimit ushtarako-politik midis vendeve anëtare, transmeton Anadolu.

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski gjithashtu ishte i pranishëm në këtë takim në Sarajevë, i cili gjatë seancës së parë të takimit ministror, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, foli për disa sfida kyçe të sigurisë në nivel global, nga "agresioni rus kundër Ukrainës dhe përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme".

Ai tha se edhe pse gjeografikisht i largët, rajoni është ndikuar fuqishëm nga pasiguria e përgjithshme dhe theksoi se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme është respektimi i parimeve të së drejtës ndërkombëtare, dialogu dhe zgjidhja paqësore e të gjitha mosmarrëveshjeve.

"Paqja e qëndrueshme kërkon qasje gjithëpërfshirëse, që përfshin shumë më tepër sesa masa ushtarake, përfshin diplomaci, përgjegjësi dhe llogaridhënie, mbështetje humanitare dhe zhvillim afatgjatë", tha Misajllovski.

"Detyrimi ynë i përbashkët është që kapitulli i ardhshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare të mos formësohet nga konflikte dhe ekstremizëm, por nga dialogu, solidariteti dhe respekti ndaj normave ndërkombëtare që do të mundësojnë një botë të sigurt dhe të drejtë për të gjithë", tha ai.

Sa i përket së ardhmes së procesit SEDM, ministri shprehu mbështetje të plotë për grupin e ekspertëve që punon në një dokument konceptual për forcimin e rëndësisë së Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG).

"Brigada është jashtëzakonisht e rëndësishme për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe jam i bindur se ajo do të vazhdojë të zhvillojë objektivat e procesit SEDM", tha Misajllovski.

Si vend pritës i selisë kryesore të brigadës SEEBRIG, tha ai, është shprehur qartë mbështetja e vendit për këtë proces, të cilin e cilësoi si "një instrument të unitetit dhe kohezionit" mes vendeve të rajonit.

Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, në takim ministrat u informuan mbi aktivitetet e realizuara që nga takimi i fundit ministror në nëntor të vitit 2024 në Tiranë, duke shtuar se një nga projektet më të rëndësishme të nismës SEDM është brigada SEEBRIG, komanda e së cilës deri në vitin 2026 është e vendosur në Kumanovë.

Takimi ministror u bashkë-organizua nga ministri i Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez, së bashku me zv/ministrin grek të Mbrojtjes, Athanasios Davakis dhe kryesuesin e sekretariatit të nismës SEDM, ambasadorin Eleftherios Angelopoulos.

Nisma SEDM, e themeluar në vitin 1996, bashkon Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Gjeorgjinë, Greqinë, Italinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Turqinë, Ukrainën, SHBA-në dhe Moldavinë. Sipas radhës së përcaktuar, Greqia do të kryesojë me nismën deri në gjysmën e parë të vitit 2027, pas së cilës kryesimin do ta marrë Maqedonia e Veriut.

Brenda nismës funksionojnë edhe projekte të tjera të rëndësishme, përkatësisht projekti për ushtrime simuluese (SEESIM), projekti "Gratë lidere në mbrojtje dhe siguri", projekti për ndërkonektivitet të spitaleve ushtarake si dhe portali SEDM për shkëmbim të shpejtë dhe efikas të informacionit ndërmjet vendeve anëtare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.