Takim Vuçiq-Putin: Presidenti serb e falënderon për "mbështetjen ndaj integritetit dhe sovranitetit të Serbisë"
Vuçiq tha se presidenti rus ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.
Sarajevë
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është takuar në Moskë me homologun rus Vladimir Putin, të cilit i ka shprehur mirënjohjen për “mbështetjen e madhe për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”, transmeton Anadolu.
Në fillim të takimit të tij me Putinin në Kremlin, Vuçiq e falënderoi presidentin rus për mikpritjen dhe e uroi me rastin e 80-vjetorit të Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore.
“Është një ditë shumë e rëndësishme për ne, për serbët. Jemi krenarë për rolin e popullit tonë në çlirimin e vendit tonë nga pushtuesit nazistë dhe jemi shumë mirënjohës ndaj Ushtrisë së Kuqe, Ushtrisë Sovjetike, që luajti një rol të madh në atë çlirim”, tha Vuçiq, duke folur rusisht.
Ai shtoi se Putin ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.
Vuçiq theksoi se roli i Rusisë është i rëndësishëm dhe se është një detyrë e përbashkët të parandalojnë rishikimin e historisë, duke shtuar se sot ka treguar se duhet të punojnë së bashku në këtë drejtim.
“Faleminderit edhe një herë për këtë ngjarje të mrekullueshme, paradën madhështore në të cilën morëm pjesë sot, dhe shpresoj t’ju shoh në Serbi dhe në Beograd”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai dhe delegacioni serb ndihen si në shtëpi në Moskë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
