BALLKANI

Takim Misajllovski-Güler në Stamboll: Vazhdojmë të forcojmë partneritetin për zhvillimin e dy vendeve

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, është takuar me homologun e tij turk, Yaşar Güler, në kuadër të panairit të industrisë së mbrojtjes në Stamboll - IDEF 25

Shpetim Hiseni  | 23.07.2025 - Përdıtësım : 24.07.2025
Takim Misajllovski-Güler në Stamboll: Vazhdojmë të forcojmë partneritetin për zhvillimin e dy vendeve Burimi: Ministria e Mbrojtjes e RMV-së

Shkup

Në kuadër të Panairit të Industrisë së Mbrojtjes në Stamboll - IDEF 25, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vlado Misajllovski, së bashku me ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, është takuar me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler, transmeton Anadolu.

Siç thuhet në një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, në takim është theksuar bashkëpunimi i gjatë aktiv i mbrojtjes i bazuar në vizionin e përbashkët për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së rajonit dhe zhvillimin e të dy vendeve.

"Vazhdojmë të forcojmë partneritetin përmes shkëmbimit të njohurive dhe ekspertizës në të gjitha fushat", është konkluduar në takim.

Misajllovski u është referuar gjithashtu pajisjeve më të fundit të reja dhe të sofistikuara që janë bërë pjesë e arsenalit të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, obusët "Boran" të prodhuar në Turqi, duke vënë në dukje se "Ushtria e Maqedonisë së Veriut është e bindur për cilësinë e industrisë ushtarake turke" dhe duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Turqia, veçanërisht në zhvillimin e kapaciteteve të ushtrisë.

"Ushtria e Maqedonisë së Veriut po kalon nëpër procesin më intensiv të modernizimit dhe pajisjes deri më sot, që pa dyshim është një investim në sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Një ushtri më e fortë do të thotë gjithashtu një mbrojtje kolektive më e besueshme dhe më e sigurt në NATO", ka thënë Misajllovski.

Siç njoftohet, dje në mbrëmje, në kuadër të vizitës së tij në Turqi dhe pjesëmarrjes në panairin e industrisë ushtarake IDEF 25, Misajllovski është takuar edhe me presidentin e Agjencisë Turke të Industrisë së Mbrojtjes, Haluk Görgün, me të cilin ka diskutuar zhvillimin e industrisë ushtarake dhe nevojën për rritje të investimeve në këtë fushë, si një mënyrë për të forcuar sigurinë e aleatëve.

Në deklaratë thuhet se industria ushtarake turke është me interes për mbrojtjen e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht duke pasur parasysh se ushtria e vendit tashmë është pajisur me gjashtë obusë të rinj 105 mm dhe pajisje shoqëruese nga kompanitë "Boran" dhe "Aselsan" të cilat u promovuan së fundmi për publikun.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın