Takim i ministrave të jashtëm Maqedoni e Veriut-Greqi në Athinë: Në fokus avancimi i bashkëpunimit midis dy vendeve
"Fokusi ynë ishte gjithashtu në rezultatet që sjellin përfitime për qytetarët. Investimet, tregtia, infrastruktura, energjia", ka thënë kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski

Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Greqi, është takuar me homologun grek Giorgos Gerapetritis, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, Mucunski dhe Gerapetritis kanë shprehur kënaqësi për takimin e sotëm, në një kohë kur të dyja palët janë të përkushtuara për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Ata kanë pasur një bisedë të hapur dhe shkëmbim pikëpamjesh mbi disa çështje me interes të përbashkët.
Në takim, Mucunski ka shprehur mirënjohje për solidaritetin që Greqia tregoi gjatë tragjedisë së zjarrit në Koçan në mars të këtij viti dhe zjarreve të fundit pranë Dojranit. "Këto nuk ishin vetëm gjeste ndihme, por akte të vërteta miqësie", ka theksuar Mucunski.
Në takim është diskutuar edhe për sigurinë, si në nivel rajonal ashtu edhe global. Është konfirmuar veprimi i përbashkët brenda NATO-s dhe nevoja për koordinim të ngushtë "në këto kohë të pasigurta".
"Në të njëjtën kohë, ministrat iu referuan procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, ministri Gerapetritis theksoi mbështetjen e fortë për rrugën tonë të integrimit evropian", thuhet në deklaratën e ministrisë.
"Dua të theksoj edhe një herë mbështetjen e Greqisë për përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj evropiane, bazuar në kushtëzimin e vendosur dhe parimin e meritave të veta, me një fokus të veçantë në kriteret bazë", ka thënë Gerapetritis.
Respekti për të drejtën publike ndërkombëtare mbetet i domosdoshëm për të dyja palët, dhe marrëdhëniet dypalëshe, si më parë, do të bazohen në mirëkuptimin e ndërsjellë si fqinjë dhe aleatë në NATO, kanë konstatuar dy ministrat.
Në fokus të takimit ka qenë avancimi i bashkëpunimit midis dy vendeve, ndërsa theksi është vënë në potencialin për bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve, si dhe në bashkëpunimin në fushat e infrastrukturës dhe energjisë.
"Fokusi ynë ishte gjithashtu në rezultatet që sjellin përfitime për qytetarët. Investimet, tregtia, infrastruktura, energjia. Diskutuam projekte si Korridori 10 dhe interkoneksioni i gazit - jo vetëm si projekte teknike, por si nxitës të rritjes, sigurisë dhe lidhjes rajonale", ka thënë Mucunski pas takimit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.