Takim i grupeve parlamentare për bashkëpunim midis parlamenteve të Maqedonisë së Veriut dhe të Turqisë
Kryetari i Grupit Parlamentar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim me Parlamentin e Turqisë, Bejxhan Iljas, vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivelin më të lartë të mundshëm në shumë fusha

Shkup
Anëtarët e Grupit Parlamentar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim me Parlamentin e Turqisë u takuan me kolegët e tyre turq, të cilët ndodhen në një vizitë kthyese në vend, transmeton Anadolu.
"Kjo vizitë e Delegacionit të Grupit Ndërparlamentar për Miqësi Turqi - Maqedoni e Veriut, të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, e udhëhequr nga kryetari Ahmet Kiliç, siç u vlerësua në takim, është një tjetër mundësi për të intensifikuar bashkëpunimin parlamentar midis dy vendeve, të cilat tradicionalisht kultivojnë marrëdhënie të jashtëzakonshme miqësore", thuhet në njoftimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim me Parlamentin e Turqisë, Bejxhan Iljas, vlerësoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivelin më të lartë të mundshëm në shumë fusha.
Ai gjithashtu theksoi se bashkëpunimi ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë është shumë i kënaqshëm, me intencë që të kalojë në një nivel edhe më të lartë, siç është edhe bashkëpunimi në nivel parlamentar.
Kiliç theksoi se komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut është një urë e rëndësishme për bashkëpunimin dypalësh. Ne presim, tha Kiliç, që bashkatdhetarët tanë në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht ata që kanë role të rëndësishme në shoqëri, të japin kontributin e tyre të veçantë në vendin në të cilin jetojnë.
Deputetët nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia shkëmbyen gjithashtu mendime mbi stabilitetin rajonal, bashkëpunimin brenda NATO-s, si dhe mbi mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit në shumë fusha të tjera, siç janë shëndetësia, arsimi ose turizmi, thuhet në njoftim.
Bashkëbiseduesit arritën në përfundimin se të dy vendet ndajnë lidhje historike dhe vlera të përbashkëta kulturore dhe qytetëruese dhe se në momente të vështira ata gjithmonë kanë shtrirë dorën e ndihmës dhe mbështetjes.
Delegacioni turk u takua gjithashtu me Musa Xhaferin, kryetarin e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme dhe tregti të jashtme dhe anëtarët.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.