Të krishterët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut festojnë Krishtlindjet
Në të gjitha kishat e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) sot paradite u mbajtën liturgjitë e Krishtlindjeve
Shkup
Të krishterët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut sot festojnë një nga dy festat më të mëdha, Krishtlindjet, raporton Anadolu.
Në të gjitha kishat e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) sot paradite u mbajtën liturgjitë e Krishtlindjeve, kurse kremtimi qendror u mbajt në Katedralen "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup.
Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, Stefan, me rastin e Krishtlindjeve, së bashku me Sinodin e Shenjtë të Peshkopëve të Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryedioqeza e Ohrit, dërguan mesazhet e Krishtlindjeve duke uruar paqe dhe bekime.
Në mesin e të pranishmëve, përveç një numri të madh të qytetarëve, kishte edhe zyrtarë të lartë, si presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, kryeministri, Hristijan Mickoski, si dhe zyrtarë të tjerë.
