BALLKANI

Sërish mbyllet kufiri midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për shkak të rindezjes së zjarrit

- Për shkak të rindezjes së zjarrit në afërsi të Bllacës, trafiku drejt pikës kufitare me Kosovën në Bllacë është ndërprerë plotësisht në të dyja drejtimet, ndërsa gjithashtu edhe pika kufitare Bllacë është mbyllur

Dzihat Aliju  | 09.07.2025 - Përdıtësım : 09.07.2025
Sërish mbyllet kufiri midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për shkak të rindezjes së zjarrit Foto: Arkiv / AA

Shkup

SHKUP (AA) - Autoritetet e Maqedonisë së Veriut njoftuan se sërish është mbyllur për qarkullim rruga drejt kufirit me Kosovën në Bllacë si dhe pika kufitare, për arsye të zjarreve që përfshiu zonën, transmeton Anadolu.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur se për shkak të rindezjes së zjarrit në afërsi të Bllacës, trafiku drejt pikës kufitare me Kosovën në Bllacë është ndërprerë plotësisht në të dyja drejtimet, ndërsa gjithashtu edhe pika kufitare Bllacë është mbyllur.

Ministria tha se në koordinim me institucionet e tjera kompetente, po ndërmerr masa për shuarjen e zjarrit.

"U bëjmë thirrje qytetarëve të mos drejtohen drejt kalimit kufitar të Bllacës derisa të shuhet zjarri dhe të normalizohet trafiku, për të cilin do ta informojmë publikun përkatësisht", thuhet në njoftim.

Si pasojë e përhapjes së zjarrit në afërsi të Bllacës, autoritetet e Maqedonisë së Veriut edhe dy ditë më parë patën njoftuar se trafiku në rrugën Stenkovec-Bllacë është ndërprerë plotësisht në të dy drejtimet, përfshirë edhe pikën kufitare drejt Kosovës. Ndërsa më pas kufiri ishte hapur përsëri.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje shpalli gjendje krize me kohëzgjatje 30-ditore në mbarë vendin për shkak të rritjes së rasteve të zjarreve.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın