Sveçla pretendon se Serbia vazhdon të planifikojë sulme në Kosovë
Njësi nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë sjellë në stacion policor dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) të cilët i kishin gjetur në afërsi të fshatit Gnjezhdan
Prishtinë
Dhjetë detonatorë ndezës me kabllo janë gjetur nga njësitë e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Komunën e Leposaviqit, transmeton Anadolu.
Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh njoftoi se ato u gjetën afër lumit të fshatit Gnjezhdan të Leposaviqit.
“Raportohet se njësi nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë sjellë në stacion policor dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) të cilët i kishin gjetur në afërsi të fshatit afër lumit. Njësia e hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu është kontaktuar prokurori i shtetit, i cili udhëzon që të iniciohet rasti si më lartë”, thuhet në njoftim.
Për këtë ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, i cili tha se Serbia përmes bandave kriminale vazhdon ende të planifikojë dhe ndërmarrë sulme në Kosovë. Ai tha se zgjerimi i Policisë së Kosovës e bën të mundur minimizimin e sulmeve të mundshme kundër vendit.
“Kushtetutshmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia do të ngadhënjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale”, shtoi Sveçla.
Më tej, ai tha se Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbi të gjitha Kosova është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave “do t’u përgjigjet ashtu siç e meritojnë”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
