Sportisti boshnjak Faruk Suljoviq përfundon udhëtimin në Istanbul në mbështetje të pacientes me kancer
Suljoviq, i cili u nis si pjesë e një fushate të organizuar nga organizata e ndihmës “Pomozi.ba” në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, për t’i siguruar Smajiqit ilaçe, arriti në Ajasofja duke ngarë biçikletë dhe duke vrapuar

Istanbul
Sportisti boshnjak Faruk Suljoviç përfundoi në Istanbul udhëtimin e tij, të cilin e nisi nga vendi i tij për të mbështetur trajtimin e Anelije Smajiqit, nënë e tre fëmijëve e sëmurë me kancer.
Suljoviq, i cili u nis si pjesë e një fushate të organizuar nga organizata e ndihmës “Pomozi.ba” në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, për t’i siguruar Smajiqit ilaçe, arriti në Ajasofja duke ngarë biçikletë dhe duke vrapuar.
Duke folur për Anadolu, Suljoviq deklaroi se pati një udhëtim të lodhshëm.
“U nisa nga Sarajeva tetë ditë më parë. Bëra 1.000 kilometra me biçikletë. Vrapova 200 kilometra. E bëra këtë për një fushatë ndihme. Anelije Smajiq, nënë e tre fëmijëve që jeton në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe paciente me kancer, ka nevojë për 4.000 euro çdo muaj për trajtimin e saj. Unë jam këtu për të. Dua t’i them diçka: ‘Anelije, ia dolëm’.Deri më tani kemi mbledhur gati 15.000 euro në këtë fushatë. Fushata jonë e ndihmës do të vazhdojë deri më 10 maj”, shpjegoi ai.
Suljoviq tha se Amra Dzeko, gruaja e futbollistit boshnjak Edin Dzeko, i cili luan për Fenerbahçen, është ambasadore e fushatës së ndihmës.
“U takuam me Amrën dy orë para se të arrinim në Ajasofja. Ajo vrapoi me mua për pak kohë. Xhiruam disa pamje për dokumentarin që do të përgatisim. Ishte një përvojë e mrekullueshme. Ajo na mbështeti gjithashtu me postimet e saj në llogaritë e saj në rrjetet sociale. Amra Dzeko dha një kontribut të madh në këtë projekt”, tha Suljoviq.
Duke shpjeguar lodhjen dhe urinë që ka përjetuar, sportisti Faruk Suljoviq tha: “Dua të ha doner turk sa më shpejt të jetë e mundur. Do të pushoj pak. Gjithashtu, do të doja t’ju falënderoja shumë për mbështetjen tuaj”.