Spiropali vizitë në Ankara: Shqipëria dhe Turqia prodhojnë dhe i japin botës siguri e paqe
- Pas takimit në Ankara, Kurtulmuş dhe Spiropali mbajtën një deklaratë të përbashkët, ku kryparlamentarja e Shqipërisë theksoi se takimi i sotëm vjen në një moment të veçantë pjekurie të marrëdhënieve dy palëshe

Tiranë
ANKARA (AA) - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi, ndërkohë është pritur në takim nga kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Numan Kurtulmuş, raporton Anadolu.
Pas takimit, Kurtulmuş dhe Spiropali mbajtën një deklaratë të përbashkët, ku kryparlamentarja e Shqipërisë theksoi se takimi i sotëm vjen në një moment të veçantë pjekurie të marrëdhënieve dypalëshe.
"Teksa përgjatë vitit 2023 u shënua 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, ne kemi dëshmuar se si në më shumë se një shekull kjo marrëdhënie jo thjesht është forcuar, por veçanërisht gjatë viteve të fundit është institucionalizuar në forma konkrete bashkëpunimi, në fusha si ekonomia, shëndetësia, siguria dhe mbrojtja, turizmi, arsimi, ku shtrihet dhe potenciali i përbashkët i këtij partneriteti strategjik", tha ajo.
Spiropali u shpreh se prej marrëdhënieve Shqipëri-Turqi askush nuk humbet, por sipas saj të gjithë fitojnë.
"Fiton në radhë të parë zhvillimi, bashkëpunimi dhe paqja e siguria në rajon e më gjerë. Shqipëria dhe Turqia prodhojnë dhe i japin botës siguri e paqe, të cilat janë të nevojshme në çdo kohë, por janë të një rëndësie kritike në kohën që jetojmë, kur retë e luftës nuk janë më në horizont, por rrotull vendeve tona", tha Spiropali.
Spiropali tha, ndër të tjera, se me homologun e saj turk kanë rënë dakord ta intensifikojnë bashkëpunimin sipas saj të shkëlqyer mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, si në nivelet më të larta, ashtu edhe mes komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe deputetëve.
"Ne vlerësojmë Turqinë si një garant historik dhe natyral të paqes në rajon. Shqipëria po merr gjithashtu një rol udhëheqësie në bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për zhvillimin, integrimin euroatlantik dhe paqen. Dy vendet tona ndajnë vizione dhe angazhime të përbashkëta në mjaft nisma rajonale", tha ajo.
Ajo gjithashtu theksoi se si anëtare aktive e luajale në NATO, Shqipëria dhe Turqia, kanë një qasje të përbashkët 360-gradëshe, një partneritet strategjik afatgjatë dhe mbështesin kuadrin e sigurisë dhe qëllimet e mbrojtjes kolektive në kuadër të Aleancës.
"Shqipëria po përgatitet e do të bashkëpunojë ngushtë me Turqinë dhe aleatët e tjerë për suksesin e Samitit të NATO-s 2027 në Tiranë, duke pasur parasysh edhe faktin që Turqia do të mirëpresë Samitin në vitin 2026", shtoi ajo.
Ajo tha se ka një falënderim të veçantë për Turqinë, presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeparlamentarin Kurtulmuş, për mbështetjen për Kosovën.
"Shqipëria do të vijojë qëndrimin e palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e BE-së, SHBA-së dhe partnerëve të tjerë. Në këtë pikë, dëshiroj të shpreh vlerësimin edhe për përpjekjet e vazhdueshme dhe rolin aktiv të udhëheqjes turke, Presidentit Erdoğan, në ndërmjetësimin e bisedimeve dhe negociatave për paqe. Edhe një herë tjetër, Turqia po tregon se diplomacia është dhe duhet të mbetet mekanizmi më i mirë për paqe e stabilitet në rajon, kontinent dhe më gjerë", tha ajo.
Spiropali theksoi se e ka ftuar kryeparlamentarin Kurtulmuş për një vizitë zyrtare në Shqipëri.