BALLKANI

Spiropali takon kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentaren Haxhiu: Shqipëria do të qëndrojë përkrah Kosovës

Gjatë vizitës në Kosovë, ministrja Spiropali është pritur në takime të ndara edhe nga kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu

Fatjon Cuka  | 25.02.2026 - Përdıtësım : 25.02.2026
Spiropali takon kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentaren Haxhiu: Shqipëria do të qëndrojë përkrah Kosovës

Prishtinë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës në Kosovë është pritur në takime të ndara edhe nga kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, transmeton Anadolu.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se në takimin me kryeparlamentaren Haxhiu, ministrja Spiropali u ndal te miratimi nga dy kuvendet, i rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

"Me kryetaren Haxhiu vlerësuam miratimin nga dy Kuvendet tona, të rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Mbrojtja e së vërtetës historike të luftës për liri të popullit të Kosovës dhe përfaqësuesve të kësaj lufte, është detyrim i përbashkët kombëtar", tha Spiropali.

Sipas njoftimit, në takimin me kryeministrin Kurti u diskutua agjenda për të çuar përpara projekte madhore me interes kombëtar, "nga hekurudha kuq e zi dhe korridoret energjetike, te bashkëpunimi në arsim, kulturë, siguri dhe diplomaci".

"Shqipëria do të qëndrojë përkrah Kosovës me përkushtim, solidaritet dhe vizion afatgjatë, për të forcuar zërin tonë të përbashkët në rajon dhe në arenën ndërkombëtare", ka deklaruar Spiropali.

Më herët, Spiropali u takua edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Sipas ministrisë, kryediplomatja e Shqipërisë do të takohet gjatë ditës edhe me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.