BALLKANI

Spiropali takon homologen austriake: Anëtarësimi i plotë në BE brenda kësaj dekade është një projekt ambicioz

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, priti sot ministren Federale për Evropën dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ndërkohë mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat

Fatjon Cuka  | 25.11.2025 - Përdıtësım : 25.11.2025
Spiropali takon homologen austriake: Anëtarësimi i plotë në BE brenda kësaj dekade është një projekt ambicioz Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se mbyllja e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian (BE) brenda kësaj dekade është një projekt ambicioz, raporton Anadolu.

Ministrja Spiropali priti sot në Tiranë ministren Federale për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ndërkohë në fund të takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.

- Spiropali: Anëtarësimi i plotë në BE brenda kësaj dekade është një projekt ambicioz

Në deklaratën e saj, Spiropali u shpreh se Shqipëria është mirënjohëse ndaj Austrisë për gjithë mbështetjen e dhënë dhe sipas saj kjo vizitë është shprehje e një vullneti të përbashkët për të forcuar më tej marrëdhëniet.

"Imagjinuam sot me miken, një të ardhme në të cilën aksi Tiranë-Vjenë do të jetë shumë më dinamik në të gjithë drejtimet; politikisht, ekonomikisht, sa i përket sigurisë dhe në gjitha fushat. Në fuqizimin e këtij aksi, një rol thelbësor do të luajë pa dyshim, edhe komuniteti shqiptar në Austri, si dhe ai komunitet gjithmonë edhe më i madh, i investitorëve dhe sipërmarrësve austriakë në Shqipëri", tha Spiropali.

Duke folur për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, ajo tha se sa i përket rrugës integruese, rikonfirmuam me ministren federale austriake agjendën sipas saj shumë ambicioze të punës, për mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe për anëtarësimin e plotë brenda kësaj dekade, që sipas saj është një prioritet kombëtar dhe një projekt ambicioz.

Spiropali theksoi se "Evropa për ne është jo vetëm objektivi kryesor kombëtar", por edhe një shans historik për transformimin e institucioneve, forcimin e shtetit të së drejtës, ekonomisë, tregut dhe shoqërisë shqiptare.

- Kryediplomatja austriake: Më së shumti në 2030 Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së

Ministrja Beate Meinl-Reisinger u shpreh se Shqipëria është një partner i besueshëm për një bashkëpunim të mirë.

"Procesi i reformave drejt rrugës në BE është shumë i rëndësishëm, sepse bëhet fjalë për një sistem vlerash, për një sistem rregullash. Shqipëria me ambicie të mëdha dhe me shumë angazhim është duke përmbushur kërkesat në rrugën e anëtarësimit në BE dhe Austria garanton mbështetjen. Progresi që është bërë në Shqipëri është i jashtëzakonshëm", tha ajo.

Kryediplomatja austriake theksoi se shpreson dhe se është e sigurt që më së shumti në 2030 Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së dhe sipas sa ky proces do të jetë i përmbyllur.

Ajo shtoi se në situatën e sotme gjeopolitike, duhet një Evropë shumë e fortë, e cila sipas saj bazohet në një mirëkuptim vlerash të përbashkëta, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që ta promovojnë zgjerimin e BE-së.

"Ne duhet ta kuptojmë që Evropa duhet të jetë një hapësirë e stabilitetit dhe sigurisë", tha ajo.

Kryediplomatja austriake do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.