Spiropali: Shqipëria mbështet përpjekjet e OKB-së për një kuadër global për përdorimin e sigurt të IA-së
Kryediplomatja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, mori pjesë në debatin e nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi rolin e Inteligjencës Artificiale në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare

Tiranë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mori pjesë në debatin e nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi rolin e Inteligjencës Artificiale në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se Spiropali deklaroi se “Shqipëria mbështet fuqimisht përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të ndërtuar një kuadër global për përdorimin e sigurt, etik dhe të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale.”
Spiropali theksoi se “Inteligjenca Artificiale ofron mundësi të paprecedenta për të mbështetur zhvillimin, qëndrueshmërinë dhe parandalimin e krizave.
Spiropali bëri thirrje që shtetet duhet të kapërcejnë ndarjet digjitale, të forcojnë kapacitetet dhe të ndajnë praktikat më të mira, duke siguruar sipas saj që inovacioni të udhëhiqet nga të drejtat e njeriut, e drejta ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
“Vetëm javën e kaluar, kryeministri Edi Rama emëroi 'Diellën', një ministre të integruar me Inteligjencë Artificiale, duke e bërë Shqipërinë vendin e parë në botë që përfshin një sistem inteligjence artificiale në nivel qeverisjeje të kabinetit qeveritar. Ajo është një hap strategjik për të forcuar transparencën, për të përshpejtuar efikasitetin dhe për të integruar Inteligjencën Artificiale në politikat kombëtare, duke u udhëhequr nga parimet e etikës, inovacionit, luftës kundër korrupsionit dhe të drejtave të njeriut”, u shpreh ajo.
Duke iu referuar ministres virtuale Diella, sipas Spiropalit, ky është një hap konkret që reflekton bindjen se Inteligjenca Artificiale duhet të integrohet në qeverisje në një mënyrë që i shërben qytetarëve, përmirëson shërbimet publike dhe kontribuon në sigurinë dhe mirëqenien afatgjatë.
Ministrja Spiropali nënvizoi sipas njoftimit edhe gatishmërinë e Shqipërisë për të punuar ngushtë me shtetet anëtare, Kombet e Bashkuara dhe aktorët relevantë "për të siguruar që përpjekjet përbashkëta të nxisin besim, gjithëpërfshirje dhe qëndrueshmëri në përdorimin e Inteligjencës Artificiale".
Spiropali është pjesë e delegacionit shqiptar që po merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.