Spiropali në Greqi: Do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat e BE-së për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve
Ministrja Spiropali është takuar me presidentin e Greqisë, Konstantinos Tassoulas dhe ministrin e Jashtëm grek, George Gerapetritis, ndërsa dy homologët kanë mbajtur edhe një deklaratë të përbashkët për mediat
Tiranë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se do të vijojnë të udhëhiqen nga vlerat thelbësore të Bashkimit Evropian (BE) dhe nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon, transmeton Anadolu.
Ministrja Spiropali është takuar me presidentin Greqisë, Konstantinos Tassoulas dhe ministrin e Jashtëm grek, George Gerapetritis, në kuadër të vizitës zyrtare në Athinë, ndërsa dy homologët kanë mbajtur edhe një deklaratë të përbashkët për mediat.
- "Shqipëria mbetet e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin"
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Spiropali ka deklaruar se bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve mbështetet në dy shtylla të fuqishme, që sipas saj janë e sotmja e përbashkët në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe e nesërmja e përbashkët në Bashkimin Evropian.
"Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon", ka deklaruar ajo.
Spiropali ka deklaruar se qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama e ka konsideruar dhe përcaktuar si strategjik partneritetin mes dy vendeve, sipas saj, që në programin e parë të qeverisë e në vijim.
"Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një traktat miqësie dhe me perspektivë të përbashkët evropiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e Dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq", tha ajo.
Sipas njoftimit nga ministria, Spiropali u ndal edhe te aspektet historike ligjore dhe pronësore të qytetarëve dhe subjekteve shqiptare në Greqi, që sipas saj u trajtuan hapur në kuadër të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit dypalësh.
- Kryediplomati grek: Me Shqipërinë bashkëpunojnë në kuadër të NATO-s dhe të organizmave rajonalë
Kryediplomati grek, George Gerapetritis, ka theksuar se Greqia dhe Shqipëria kanë lidhje shekullore.
"Besojmë fuqimisht se ne duhet të fokusohemi në ato që i bashkojnë dy popuj në interes të qëndrueshmërisë. Duhet të shikojmë drejt të ardhmes së marrëdhënieve tona. Minoriteti grek është hallka e pandashme lidhëse mes dy popujve tanë. Gjithashtu, një rëndësi të veçantë ka edhe kontributi i emigrantëve shqiptarë (në Greqi)", tha ai.
Gerapetritis ka deklaruar se me Shqipërinë bashkëpunojnë në kuadër të NATO-s dhe të organizmave rajonalë. "Një nga çështjet që diskutuam sot ishte zgjerimi (i BE-së) që siç e dimë të gjithë është nevojë gjeopolitike", tha kryediplomati grek.
Ai shtoi se Greqia qëndron konsekuente në pozicionimin e saj drejt konvergimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe shtoi se përshëndesin progresin e Shqipërisë për procesin e negociatave.
Ministrja Spiropali do vazhdojë edhe nesër vizitën në Greqi, ku do të takohet me zyrtarë të tjerë grekë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
