Spiropali në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s: Shqipëria e angazhuar për forcimin e sigurisë kolektive
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s
Tiranë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka deklaruar se Shqipëria mbetet e angazhuar për forcimin e sigurisë kolektive, transmeton Anadolu.
Ministrja Spiropali ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s.
"Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s, për angazhimin strategjik të aleancës sonë përballë sfidave të mbrojtjes e sigurisë, ku Shqipëria mbetet një aleat i besuar dhe angazhuar për forcimin e sigurisë kolektive. Shqipëria rikonfirmon angazhimin për mobilitetin ushtarak dhe rolin qendror të Korridorit VIII si arterie strategjike e gatishmërisë së NATO-s", ka shkruar Spiropali në rrjetet sociale.
Kryediplomatja e Shqipërisë ka theksuar se mbeten të përkushtuar për modernizimin e infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve për lëvizje të shpejtë, sipas saj, si kontribut konkret për sigurinë kolektive të Aleancës.
Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, takimi i sotëm konfirmon unitetin dhe angazhimin strategjik të NATO-s përballë sfidave shumëdimensionale të sigurisë në hapësirën Euro-Atlantike.
"Ministrja Spiropali do të ritheksojë rolin e Shqipërisë si një aleat i besueshëm, duke nënvijëzuar angazhimin për përmbushjen e vendimeve të marra në Samitin e Hagës, lidhur me rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes. Spiropali do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e vendeve nënshkruese të Letër-Marrëveshjes për Korridorin VIII, si arterie strategjike e mobilitetit ushtarak", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në Bruksel për të diskutuar përgatitjet për samitin që do të mbahet në korrikut në Ankara, për kërcënimet në rritje ndaj sigurisë kolektive dhe mbështetjen për Ukrainën.
