Spiropali mbi ftesën e Trumpit për Bordin e Paqes: Është një vlerësim i lartë për rolin e ri të Shqipërisë
"Kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare", tha ministrja Spiropali
Tiranë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se ftesa për Shqipërinë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbi Bordin e Paqes është një vlerësim i lartë për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite, raporton Anadolu.
Në një konferencë për mediat, Spiropali tha se përmes një letre për Kryeministrin Rama, Trump ka ftuar Republikën e Shqipërisë për t'iu bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur Bordi i Paqes, në cilësinë e vendit anëtar themelues.
"Në krye e mbi të gjitha, duhet pranuar se kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare. Nuk ka dyshim se ftesa e presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i Bordit të Paqes", ka deklaruar ajo.
Duke iu referuar reagimeve dhe debateve në Shqipëri për ftesën në fjalë, ajo u shpreh se ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkë-ndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, sipas saj i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, "duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithëfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie".
- Kjo ftesë konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së
Ministrja Spiropali ka shtuar se e shikojnë këtë nismë si një përpjekje të fortë dhe fisnike për të shkuar përtej deklaratave politike apo angazhimeve formale, në kërkimin e zgjidhjes së qëndrueshme të konflikteve.
Spiropali ka theksuar se kjo ftesë e drejtpërdrejtë e presidentit të SHBA-së për kryeministrin e Shqipërisë konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
"Ne nuk e dimë ende sa janë udhëheqësit e ftuar nga Presidenti Trump, në kohë e kapacitete të ndryshme apo do të ftohen, për t'ju bashkuar nismës së tij globale, por dimë me siguri që as në Argjentinë e as në Turqi, ku udhëheqësit e atyre vendeve ku e ku më të mëdha se sa vendi ynë e kanë njoftuar publikun për ftesën, nuk ka pasur kurrfarë debati mbi madhësinë e numrit të anëtarëve të Bordit të Paqes. Përkundrazi, përfshirja e vendit ndër të ftuarit është konsideruar diçka pozitive, e mirëpritur dhe e pranuar me falënderim", ka shtuar ajo.
Presidenti i SHBA-së, Trump, njoftoi disa ditë më parë formimin e Bordit të Paqes për Rripin e Gazës.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu anëtarët e komitetit të ri "teknokratik" që do të mbikëqyrë tranzicionin e pushtetit në Rripin e Gazës, si pjesë e planit me 20 pika të Trumpit për t'i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
