Spiropali: Kuvendi ka realizuar objektivat për të udhëhequr procesin e anëtarësimit në BE
Në hapje të sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë, Spiropali theksoi se gjatë sesionit do të kenë një program dhe kalendar të ngjeshur për të shqyrtuar sa më shumë akte ligjore dhe për të avancuar reformat
Tiranë
Sesioni i ri parlamentar i legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë ka filluar punimet, ndërkohë që në seancën e hapjes mbajti një fjalë përshëndetëse kryeparlamentarja Elisa Spiropali, raporton Anadolu.
Spiropali theksoi se gjatë sesionit do të kenë një program dhe kalendar të ngjeshur për të shqyrtuar sa më shumë akte ligjore dhe për të avancuar, sipas saj, reformat në shërbim të zhvillimit ekonomik e social dhe fusha të tjera.
Ajo theksoi se arritje e rëndësishme e kësaj legjislature është përshpejtimi i ritmeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Spiropali shtoi se me krenari të ligjshme pohojnë se kjo shpejtësi ka qenë më e madhe se gjatë çdo periudhe tjetër gjatë kësaj legjislature që pas marrjes së statusit të vendit kandidat.
"Kuvendi ka realizuar objektivat për të udhëhequr procesin e anëtarësimit, garantuar legjitimitetin demokratik dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 është tashmë një objektiv strategjik kombëtar. Ky është prioriteti numër një i Kuvendit të Shqipërisë deri në mbyllje të kësaj legjislature dhe do të jetë prioritet numër një edhe i legjislaturës së ardhshme", tha Spiropali.
Kryeparlamentarja Spiropali theksoi se ka ardhur koha të ndërtojnë Kuvendin e Shqipërisë evropiane.
- Presidenti Begaj mesazh deputetëve
Presidentit i Shqipërisë, Bajram Begaj, u ka drejtuar sot një mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë me rastin e hapjes së sesionit të ri parlamentar.
Në fokus të mesazhit të presidentit Begaj është apeli për vijueshmërinë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, mbi çështjet për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, stabiliteti ekonomik e politik, zhvillimi qëndrueshëm dhe çështje të tjera.
Presidenti Begaj e konsideron të pazëvendësueshëm rolin e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa u bën thirrje deputetëve të nisin një periudhë të re bashkëpunimi e dialogu, sipas tij, në shërbim të shqiptarëve në vend, në diasporë dhe në rajon.
"Roli i Kuvendit është i pazëvendësueshëm edhe për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, për mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik e territorial në respekt të burimeve natyrore të vendit, për kujdesin shëndetësor, për forcimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në të gjitha nivelet, si dhe për përshtatjen me risitë teknologjike e inovacionin", thuhet në mesazhin e Begajt.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
