BALLKANI

Spiropali: Diplomacia dhe bashkëpunimi duhet të jenë rrugëzgjidhjet mes vendeve në luftë dhe konflikte

- Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve në Gjenevë të Zvicrës

Fatjon Cuka  | 30.07.2025 - Përdıtësım : 30.07.2025
Spiropali: Diplomacia dhe bashkëpunimi duhet të jenë rrugëzgjidhjet mes vendeve në luftë dhe konflikte

Tiranë

TIRANË (AA) - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka marrë pjesë në Konferencën e Gjashtë Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve në Gjenevë të Zvicrës, ndërkohë në fjalën e saj ka theksuar se diplomacia dhe bashkëpunimi duhet të jenë rrugëzgjidhjet mes vendeve në luftë dhe në konflikte, transmeton Anadolu.

Spiropali është shprehur se përballja me sfidat globale kërkojnë një angazhim të palëkundur ndaj multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndërparlamentar.

Ajo tha se vështirë se gjendet një kohë tjetër kur bashkëpunimi ndërparlamentar për paqen, sigurinë, drejtësinë dhe mirëqenien të jetë kaq i domosdoshëm dhe kaq kritik sa në kohën e sotme.

"Nga kufiri lindor i BE-së, në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe më gjerë, bota po përballet me një krizë të rëndë dhe trazira të mëdha. Forcat e përçarjes, konfliktit të dhunshëm dhe pabarazisë po venë në provë vlerat tona të përbashkëta: paqen, stabilitetin, drejtësinë", tha ajo.

Spiropali theksoi ndër të tjera se sot Shqipëria kryeson garën për anëtarësim në BE dhe është lider rajonal në Ballkanin Perëndimor.

"Si parlamentarë, ne duhet të jemi në pararojë në përballjen me çdo formë rreziku, deformimi apo sfide që kërcënojnë shoqëritë tona. Ne në Shqipëri jemi krenarë që kemi qëndruar përkrah Ukrainës në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare, duke dënuar pa asnjë mëdyshje agresionin rus dhe duke mbështetur çdo nismë që ka për qëllim llogaridhënien, ndihmën humanitare dhe rindërtimin", tha ajo.

Spiropali tha se diplomacia dhe bashkëpunimi duhet të jenë rrugëzgjidhjet mes vendeve në luftë dhe në konflikte, sipas saj në Lindjen e Mesme dhe kudo në botë.

"Ne në Kuvendin e Shqipërisë e konsiderojmë diplomacinë parlamentare si një soft power për mbrojtjen e sigurisë, arritjen e paqes dhe garantimin e prosperitetit të kombeve dhe njerëzve tanë", tha Spiropali.

Konferenca me temë “Bashkëpunimi parlamentar dhe multilateralizmi për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin”, mbahet nën organizimin e Unionit Ndërparlamentar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın