BALLKANI

Spasovski për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska: Do të bëj çmos për ta nxjerrë "përbindëshin" para drejtësisë

Ministri Spasovski dhe prokurori Bubevski thanë se nga procedura hetimore ka rezultuar se të njëjtët persona që dyshohen për vrasjen e të miturës dyshohen edhe për zhdukjen dhe vrasjen e një 74-vjeçari nga Velesi

Abdula Berisha  | 04.12.2023 - Përdıtësım : 05.12.2023
Spasovski për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska: Do të bëj çmos për ta nxjerrë "përbindëshin" para drejtësisë Foto: Abdula Berisha / AA

Shkup

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, dhe prokurori themelor publik Gavril Bubevski mbajtën një konferencë për media në të cilën prezantuan informacione në lidhje me vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, raporton Anadolu.

E mitura u raportua e zhdukur më 27 nëntor, ngjarje kjo që tërhoqi vëmendjen e publikut.

Ministri Spasovski dhe prokurori Bubevski thanë se nga procedura hetimore ka rezultuar se të njëjtët persona që dyshohen për vrasjen e të miturës dyshohen edhe për zhdukjen dhe vrasjen e një 74-vjeçari nga Velesi.

Spasovski tha se policia gjatë natës së kaluar e ka zbardhur rastin pasi janë gjetur trupat e dy personave të zhdukur.

Ai shprehu ngushëllimet e thella për familjet e viktimave dhe e vlerësoi rastin si një "krim të urryer pa precedent" në vend.

Spasovski ka thënë se motivi i krimit ka qenë interesi vetjak, ku njëri nga të dyshuarit në marrëveshje dhe me dijeninë e një familjari ka organizuar kryerjen e veprës me qëllim të zhvatjes së parave nga nëna e të miturës.

“Në lidhje me dy rastet dyshohen pesë persona, tre prej të cilëve tashmë janë në paraburgim, njëri është jashtë shtetit, ndërsa personi i pestë, babai i të miturës është ndaluar, është marrë në pyetje dhe masa të mëtejshme do të merren sipas udhëzimit të Prokurorisë”, tha Spasovski.

Ai tha se viktima tjetër nuk është e lidhur me të miturën, por të dyshuarit e kanë marrë dhe kanë përdorur veturën e tij për kryerjen e krimit.

Lidhur me personin që ndodhet jashtë shtetit, Spasovski ka deklaruar se sipas informacioneve ai fillimisht ka qëndruar në Beograd të Serbisë nga ku është nisur për në Bullgari.

“Mund të premtoj se do të bëj gjithçka, si unë, ashtu edhe institucioni, që ky person ose nëse preferoni, ky përbindësh, gjurmët e të cilit po ndjekim, sapo të shkelë në tokën tonë, të dalë para drejtësisë“, tha Spasovski.

Ministri theksoi se ky ishte një rast i izoluar, i rastësishëm i kriminelëve që njihnin familjen.

Ai ka mohuar spekulimet për prapavijë të përkatësinë etnike të rastit që kanë dalë në rrjetet sociale. Spasovski tha se gjatë procedurës është kryer bastisje në lokacionet e një partie politike, pasi të dyshuarit ishin anëtarë të asaj partie politike.

Prokurori Gavril Bubevski në deklaratën e tij tha se në këtë rast kur autorët janë të njëjtë për dy vepra, rasti merr kualifikimin më të rëndë të mundshëm.

“Ata kanë kryer edhe dy vepra penale të vrasjes, të cilat janë forma të cilësuara të veprave penale. Për shkak të lidhjes së njërës dhe të veprës tjetër penale me autorët që janë të njëjtë si për veprën e parë ashtu edhe për veprën e dytë penale, merr kualifikimin më të rëndë të mundshëm nga kodi penal dhe dënohet me dënimin më të rëndë që mund të shqiptohet në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Bubevski.

​​​​​​​

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın