BALLKANI

Sot në Potoçari do të varrosen mbetjet e 7 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

- Në 30-vjetorin e gjenocidit, viktimat më të reja të këtij viti janë Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të dy 19 vjeç kur u vranë në korrik të vitit 1995. Avdiq u gjet në Suljiqi në vitin 2010 ndërsa Mujiq u gjet në Baljkovicë, Zvornik, në vitin 2022

Abdulbesar Ademi  | 11.07.2025 - Përdıtësım : 11.07.2025
Sot në Potoçari do të varrosen mbetjet e 7 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Shkup

SREBRENICË (AA) - Instituti për Personat e Zhdukur ka bërë të ditur se mbetjet e shtatë viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë do të varrosen sot në një funeral kolektiv në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë, raporton Anadolu.

Çdo vit, më 11 korrik, viktimat e identifikuara së fundmi të mizorisë më të keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore varrosen në varrezat përkujtimore të Potoçarit, duke shënuar përvjetorin e gjenocidit që mori më shumë se 8 mijë jetë njerëzish.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka njohur 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, me përkujtime të planifikuara në të gjithë vendin. Mijëra vizitorë nga e gjithë bota pritet të marrin pjesë në funeralin e këtij viti.

Arkivolet me emrat e viktimave do të transportohen nga Visoko në Srebrenicë. Pas funeralit, numri i viktimave të varrosura do të rritet në 6.762.

Në 30-vjetorin e gjenocidit, viktimat më të reja të këtij viti janë Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të dy 19 vjeç kur u vranë në korrik të vitit 1995. Avdiq u gjet në Suljiqi në vitin 2010 ndërsa Mujiq u gjet në Baljkovicë, Zvornik, në vitin 2022.

Viktima më e vjetër është 67-vjeçarja Fata Bektiq, e cila gjithashtu do të jetë e vetmja grua e varrosur këtë vit. Mbetjet e saj u gjetën në Potoçari në vitin 2021.

Mbetjet e viktimave u nxorën nga varret masive në Liplje, Baljkovicë, Suljiqi dhe vendin e quajtur "Kameniçko Brdo". Shumë mbetje janë të paplota, duke i lënë familjet të varrosin vetëm disa eshtra.

Hasib Omeroviq, i cili ishte 34-vjeç kur u vra, u zhvarros në vitin 1998, por familja e tij e vonoi varrimin për shkak të mbetjeve të kufizuara të gjetura.


- Viktimat që do të varrosen këtë vit janë:

• Senajid Husein Avdiq, i lindur më 1976

• Hariz Ramiz Mujiq, i lindur më 1976

• Fata Huso Bektiq, e lindur më 1928

• Hasib Adem Omeroviq, i lindur më 1961

• Sejdalija Alija Aliq, i lindur më 1961

• Rifet Mustafa Gabeljiq, i lindur më 1964

• Amir Ibrahim Mujçiq, i lindur më 1964


Projekti i Identifikimit i Podrinjes në Tuzëll mban eshtrat e nëntë viktimave të tjera të identifikuara që presin pëlqimin e familjes për varrim. Instituti u ka bërë thirrje familjeve që kanë identifikuar të dashurit e tyre të japin pëlqimin e tyre për varrim në mënyrë që ata të mund të varrosen gjatë funeraleve kolektive.

Projekti mban eshtrat e 45 viktimave të tjera të identifikuara përmes testimit të ADN-së, por në pritje të konfirmimit formal të familjes për shkak të mbetjeve të kufizuara të gjetura. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës sulmuan "zonën e sigurt" të Srebrenicës të shpallur nga OKB-ja, duke vrarë më shumë se 8 mijë burra dhe djem muslimanë boshnjakë, pavarësisht pranisë së paqeruajtësve holandezë.

Forcat e udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, i cili më vonë u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid, pushtuan zonën më 11 korrik, duke ekzekutuar rreth 2 mijë burra dhe djem atë ditë dhe mijëra të tjerë në ditët në vijim derisa ata ikën në pyjet aty pranë.

Trupat e viktimave janë gjetur në 570 varre masive në të gjithë Bosnjë e Hercegovinën.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.