BALLKANI

"Sistemi arsimor në Kosovë, ende në gjendje kritike"

Sipas zyrtarëve të BE-se në Kosovë, në dy vitet e fundit gjendja e arsimit në Kosovë nuk është përmirësuar dhe vazhdon të jetë në zonë kritike

Agim Sulaj  | 20.01.2020 - Përdıtësım : 21.01.2020
"Sistemi arsimor në Kosovë, ende në gjendje kritike"

Prishtinë

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë në bashkëpunim me Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC) dhe organizatat e tjera joqeveritare anëtare të “Rrjetit të Kosovës për punësim dhe arsim” (KEEN), kanë organizuar konferencë për gjendjen e sistemit të arsimit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Me këtë rast u prezantua raporti i monitorimit për zbatimin e “Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021”.

Luigi Brusa, shefi i Zyrës për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se situata në arsim në dy vitet e fundit nuk është përmirësuar, madje sipas tij, gjendja ndodhet në zonë kritike.

“Situata në këto dy vitet e fundit në sistemin e arsimit në Kosovë nuk është e mirë. Është ende në një zonë kritike ku institucionet e Kosovës nuk janë duke performuar si duhet”, ka thënë Brusa.

Sipas tij, “ka një stagnim në fushën e arsimit, jo vetëm në çështjet e buxhetit, por edhe në të organizimit”.

Brusa tha se gjendja në nivelin arsimor të ulët dhe të mesëm nuk është aspak e mirë, dhe situatë e njëjtë është edhe në nivelin e lartë, gjë për të cilën ministria e arsimit “duhet të fokusohet në vitet e ardhshme në reforma të reja”.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, Shëndetësisë dhe Teknologjisë, Fadile Dyla, konfirmoi se gjendja në sistemin arsimor vazhdon të jetë jo e mirë, megjithëse tha se “mbetet të vazhdojmë me përkushtim që raportin ta bëjmë të lexueshëm dhe t’i shohim të gjitha sfidat dhe të metat që i kemi hasur në implementimin e planit strategjik 2017-2021".

Drejtori ekzekutiv nga Qendra për Arsim ne Kosovë, Dukagjin Pupovci, ka njoftuar se deri në vitin 2018 numri i nxënësve ka rënë për 20 për qind derisa numri i mësimdhënësve është rritur për 3 për qind.

“Përgjatë këtyre 4 viteve ne jemi bindur se institucionet janë të hapura për shoqërinë civile, komunitetin akademik dhe palëve të tjera me interes në procesin e hartimit të politikave. Ne i kemi pasur dyert e hapura që të kontribuojmë në hartimin e politikave. Idetë tona kanë gjetur vendin në politika të cilat janë aprovuar nga Qeveria e Kosovës dhe ato janë edhe sot. Mirëpo, problemi madhor i politikbërjes në Kosovë është implementimi i politikave”, tha Pupovci.

Raporti i monitorimit për zbatimin e “Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021” ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve arsimore, fuqizimin e organizatave që merren me këtë fushë dhe rritjen e përfshirjes së tyre në vendimmarrje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın