BALLKANI

Siljanovska-Davkova: BE-ja të tregojë strategji të qartë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut

"Kushtet e shtuara të imponuara, të cilat pengojnë rrugën tonë drejt BE-së, nuk janë në përputhje me vlerat dhe parimet themelore të Unionit që kërkojnë respektimin e strukturave kushtetuese të shteteve", ka thënë presidentja Siljanovska-Davkova

Elena Trenchevska Chekovikj  | 17.11.2025 - Përdıtësım : 17.11.2025
Siljanovska-Davkova: BE-ja të tregojë strategji të qartë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut

Shkup

Të përkushtohemi ndaj reformave, jo për shkak të vullnetit politik për ndryshimet kushtetuese, por për shkak të sundimit të ligjit, porositi sot presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, transmeton Anadolu.

Në seancën e përbashkët të Këshillit Kombëtar për Eurointegrime dhe Komisionit për Çështje Evropiane, ku u diskutua Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2025, Siljanovska-Davkova ka thënë se vendi deri më tani ka treguar “gatishmëri të jashtëzakonshme për zbatimin e kërkesave të BE-së”, duke theksuar “paqëndrueshmërinë e vërejtjeve për mungesë të vullnetit politik” në vend.

“Ajo e ngriti edhe çështjen e rishqyrtimit të procesit të vlerësimit nga Komisioni Evropian. Duke krahasuar 16 raportet e deritanishme, ajo vuri në dukje se progresi i shënuar është ciklik, jo linear, gjë që tregon se vlerësimet janë pasqyrim i perceptimit aktual të vlerësuesit”, thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentes.

Sipas Siljanovska-Davkovës, vlerësimet e këtij viti për vendin janë ndikuar nga kërkesat për ndryshime kushtetuese.

“Presidentja përsëriti se kushtet e shtuara të imponuara, të cilat pengojnë rrugën tonë drejt BE-së, nuk janë në përputhje me vlerat dhe parimet themelore të Unionit që kërkojnë respektimin e strukturave kushtetuese të shteteve”, shtohet më tej.

Në fjalën e saj, ajo ka folur edhe për mundësitë e komplikimeve në vendimmarrjen e Komitetit për Marrëdhënie në mes të Komuniteteve si rezultat i ndryshimeve të mundshme kushtetuese, si dhe ka theksuar kontestimin e konstatuar në Raport lidhur me vendosjen e grave në pozita të pafitueshme në listat zgjedhore.

Presidentja Siljanovska-Davkova ka theksuar se BE-ja mbetet një filozofi politike unike, e cila gëzon mbështetje të gjerë publike, motivon reforma demokratike dhe stimulon ndryshime që çojnë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të i japë fund “ballkanizimit” si fenomen, por, siç ka theksuar ajo, Unioni ende “nuk ka një strategji të qartë për integrimin tonë evropian dhe zbaton standarde të dyfishta”.

Në seancë kanë mbajtur fjalime edhe ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani, kryetarët e Këshillit Kombëtar për Eurointegrime dhe Komisionit për Çështje Evropiane, Venko Filipçe dhe Antonio Miloshoski, si dhe deputetë nga pushteti dhe opozita, të cilët kanë shprehur qëndrimet e tyre për Raportin e sivjetëm të KE-së.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.