Shënohet 113-vjetori i krijimit të Policisë së Shqipërisë
Një nga aktivitetet qendrore u mbajt në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, të policisë dhe të institucioneve të tjera
Tiranë
Sot shënohet 113-vjetori i krijimit të Policisë së Shqipërisë, ndërkohë në vend janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu.
Një nga aktivitetet qendrore u mbajt në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, të policisë dhe të institucioneve të tjera.
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur gjatë aktivitet në Tiranë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Xhemal Qefalia, u shpreh se policia është një institucion kaq jetik për shtetin dhe shoqërinë, e cila sipas tij më shumë se një shekull ka qëndruar në shërbim të rendit dhe sigurisë së qytetarëve.
"Historia e këtij institucioni është historia e përpjekjeve të pandërprera dhe përballje me sfida të vështira të ndryshme. Gjatë këtyre viteve, policia ka qenë gjithmonë pranë qytetarit, në ditë të qeta, por dhe në momente të vështira dhe krizash", tha Qefalia.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda, gjatë fjalës së tij u shpreh se sot nderojnë një histori, një mision dhe një institucion.
"Organizata jonë ka ecur krah për krah me historinë e vendit, ka përballuar sfida të mëdha, tranzicione të vështira dhe momente vendimtare, duke ruajtur gjithmonë misionin e saj, mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve. Rrugëtimi i saj është një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi, ku çdo uniformë flet për një detyrë, çdo emblemë për një frymë dhe çdo veprim për një premtim të patundur ndaj shoqërisë", tha ndër të tjera Proda.
Ndërkohë, ceremoni dhe aktivitete të ndryshme janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Si datë e krijimit të Policisë së Shtetit Shqiptar njihet 13 janari i vitit 1913.
