Shtyhet seanca gjyqësore për çështjen ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Seanca paraprake për kalimin e çështjes ndaj Veliajt në gjykim apo jo ishte planifikuar të mbahej sot, ndërkohë është shtyrë për datë 21 tetor, për shkak se nuk u paraqitën avokatët sepse vazhdojnë bojkotin

Tiranë
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shtyrë sërish seancën gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, raporton Anadolu.
Seanca paraprake për kalimin e çështjes ndaj Veliajt në gjykim apo jo ishte planifikuar të mbahej sot, ndërkohë është shtyrë për datë 21 tetor.
GJKKO konfirmoi për Anadolu se seanca gjyqësore është shtyrë për shkak se nuk u paraqitën avokatët sepse vazhdojnë bojkotin.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi që të bojkotojë proceset hetimore dhe gjyqësor për datat 9 dhe 10 tetor, pas vrasjes disa ditë më parë të gjyqtarit Astrit Kalaja.
- Arrestimi dhe shkarkimi i kryebashkiakut Veliaj
Veliaj është arrestuar më 10 shkurt 2025, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash. Ai aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa "ndalim i daljes jashtë shtetit" dhe "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", e dyshuar për disa vepra penale.
Më 23 shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi projektvendimin për "propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj", me argumentin se "kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur për shkak të procesit penal ndaj tij".
Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi të shkarkojë Veliajn nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Më 29 shtator, avokatët e Veliajt konfirmuan se vendimi për shkarkimin është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.
Më 9 shtator Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pezulluar dekretin e presidenti Bajram Begaj për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, ndërsa do të mbajë seancë për ankimin më më 31 tetor.
Veliaj ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.