BALLKANI

Shtyhet sërish seanca për çështjen ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Seanca e radhës ndaj Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim, do të mbahet më 28 tetor, në të cilën pritet të vendoset nëse çështja ndaj tij do të kalojë për gjykim apo jo

Fatjon Cuka  | 21.10.2025 - Përdıtësım : 22.10.2025
Shtyhet sërish seanca për çështjen ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Tiranë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shtyrë sërish seancën ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, raporton Anadolu.

Seanca e radhës ndaj Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim, do të mbahet më 28 tetor, në të cilën pritet të vendoset nëse çështja ndaj tij do të kalojë për gjykim apo jo.

Për Anadolu, GJKKO-ja konfirmoi se seanca gjyqësore është shtyrë për shkak të bojkotit të avokatëve.

Bojkoti i avokatëve për seancat gjyqësore do të vazhdojë deri më 25 tetor për shkak të arrestimit të një avokati disa ditë më parë me akuzën "se ka kërcënuar një prokuror".

Kujtojmë se në disa seanca gjyqësore në muajit e fundit nuk është ndryshuar masa e sigurisë "arrest në burg" ndaj Veliajt dhe ai aktualisht është në paraburgim.

- Arrestimi dhe shkarkimi i Erion Veliajt

Veliaj është arrestuar më 10 shkurt 2025, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa "ndalim i daljes jashtë shtetit" dhe "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", e dyshuar për disa vepra penale.

Më 23 shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi projektvendimin për "propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj", me argumentin se "kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur për shkak të procesit penal ndaj tij".

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi të shkarkojë Veliajn nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Më 29 shtator, avokatët e Veliajt konfirmuan se vendimi për shkarkimin është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.

Më 9 tetor Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pezulluar dekretin e presidenti Bajram Begaj për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, ndërsa do të mbajë seancë për ankimin më 31 tetor.

Veliaj ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.