Shtatë tifozë të PAOK-ut humbin jetën në aksident trafiku në Rumani
Sipas raportimeve të mediave pretendohet se në minibusin e aksidentuar ndodheshin edhe dy shtetas shqiptarë
Athinë
Si pasojë e një aksidenti trafiku në Rumani, ku u përplas një automjet që transportonte tifozë të ekipit PAOK të Superligës së Greqisë që ishin nisur drejt Francës, kanë humbur jetën 7 persona, transmeton Anadolu.
Sipas Televizionit Shtetëror Grek ERT, automjeti që transportonte tifozët, të cilët po udhëtonin për të mbështetur ekipin e tyre në ndeshjen e UEFA Ligës së Evropës ndërmjet Olympique Lyon dhe PAOK, që do të zhvillohet të enjten në qytetin Lyon të Francës, pësoi aksident në territorin e Rumanisë.
Minibusi me tifozë të PAOK-ut u përplas me një kamion që vinte nga drejtimi i kundërt gjatë një parakalimi në autostradën DN6-E70, pranë qytetit Lugojelul.
Nga gjithsej 10 persona që ndodheshin në automjet, 7 humbën jetën, ndërsa 3 të tjerë u plagosën dhe u dërguan për trajtim mjekësor në spitalet e zonës.
Sipas raportimeve të mediave pretendohet se në minibusin e aksidentuar ndodheshin edhe dy shtetas shqiptarë.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në një deklaratë lidhur me aksidentin shprehu keqardhjen e thellë, duke theksuar se qeveria greke dhe shërbimi zjarrfikës po bashkëpunojnë me autoritetet lokale rumune.
Mitsotakis u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe familjes së PAOK-ut.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
