Shqipërohet vepra e autorit boshnjak Mevludin Hrnjic "Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës"
"Srebrenica është një plagë që nuk shuhet kurrë, çdo korrik ajo hapet dhe dhemb përsëri", tha autori para të pranishmëve në Prishtinë

Prishtinë
Me rastin e 30 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, është përkthyer në shqip dhe promovuar vepra e autorit nga Bosnjë e Hercegovina, Mevludin Hrnjic, "Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës", raporton Anadolu.
Në promovimin që u mbajt në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë, përpos autorit të veprës, morën pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, myftiu Naim Tërnava, zëvendëskryeministrja në detyrë nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, profesorë dhe studentë.
Për veprën e cila në shqip u përkthye nën kujdesin e Bashkësisë Islame, myftiu Tërnava tha se përvjetori i 30-të shënohet me kontribut modest në nderim të viktimave, përmes botimit të këtij libri në shqip.
"Ngjarjet e korrikut 1995 në Srebrenicë nuk janë një tragjedi e izoluar, por një akt i qëllimshëm gjenocidi i orkestruar me synimin për zhdukjen e boshnjakëve vetëm se i përkisnin një besimi dhe etnie tjetër. Mbi 8 mijë burra dhe djem u masakruan. Shumë gra u përdhunuan dhe mijëra familje u shpërngulën në sytë e botës dhe përballë institucioneve që kishin për detyrë mbrojtjen", tha Tërnava.
- "Adresa e këtij krimi nuk mund të ndalet në Bosnjë e Hercegovinë. Fillet e tij çojnë në Beograd"
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se libri "Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës" që sapo ka dalë nga shtypi, është më shumë se një rrëfim personal, është gurë kujtese me një plagë që ende kullon.
Kurti tha se kjo vepër është zëri i një njeriu që mbijetoi për të treguar për ata të cilët nuk mundën dhe sot ky zë po flet edhe në gjuhën shqipe, që kujtimi të marrë zemër edhe në Kosovë.
"Adresa e këtij krimi nuk mund të ndalet në Bosnjë e Hercegovinë. Fillet e tij çojnë në Beograd. Në zemrën e një politike shtetërore që mbolli urrejtje dhe vdekje. Radovan Karagjiq dhe Ratko Mlladiq, ishin vetëm duart që e zbatuan planin. Por, mendja dhe fryma e këtij krimi vinin nga më lartë. Dënimet e tyre janë dëshmi se drejtësia vonon por nuk humbet", theksoi Kurti.
Kurti tha se çdo dëshmitar si Hrnjic dhe çdo libër sikurse libri i tij, është dëshmi "që duhet respektuar dhe afirmuar".
- "Srebrenica është një plagë për boshnjakët që nuk shuhet kurrë"
Autori i librit, i mbijetuar i këtij gjenocidi, Mevludin Hrnjic, fjalën e tij e nisi duke treguar për vendndodhjen e varreve të babait dhe vëllezërve të tij, në fotografinë e varrezave në Srebrenicë.
"Srebrenica është një plagë për boshnjakët që nuk shuhet kurrë, çdo korrik ajo hapet dhe dhemb përsëri. Srebrenica dëshmon, fton në gjendjen e brendshme për liri, bashkëjetesë, drejtësi, që askujt të mos i ndodhë gjenocidi. Srebrenica është një njollë e zezë e bashkësisë ndërkombëtare sepse kanë pasur mundësi që të ndikojnë që të mos ndodhë", tha ai.
Hrnjic tha se librin e ka bërë si kurorë të gjithë përjetimit të tij të dhimbshëm, duke e shkruar atë kronologjikisht.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.