"Shqipëria është në krye të rajonit të Ballkanit Perëndimor për ekonominë e gjelbër"
- Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duke iu referuar raportit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ka theksuar se Shqipëria është në krye të rajonit të Ballkanit Perëndimor për ekonominë e gjelbër

Albania
TIRANË (AA) - Sipas raportit të fundit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) Shqipëria zë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për përputhshmërinë me politikat e gjelbërta të Bashkimit Evropian, transmeton Anadolu.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, në një reagim në rrjetet sociale, ka theksuar se Shqipëria është në krye të rajonit të Ballkanit Perëndimor për ekonominë e gjelbër.
"Sipas raportit të fundit të OECD 'Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2025', Shqipëria zë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për përputhshmërinë me politikat e gjelbërta të Bashkimit Evropian, duke kaluar të gjitha vendet fqinje në 'Greening Cluster', me një rezultat prej 103 pikësh, gjithashtu duke u renditur mbi mesataren e BE-së (100 pikë) dhe të Ballkanit Perëndimor (47 pikë)", ka shkruar Gonxhja.
Sipas tij, Shqipëria ka shënuar përparim të ndjeshëm në këtë fushë për shkak të rritjes së vëmendjes institucionale ndaj agjendës së gjelbër, përmes përfshirjes së objektivave të qëndrueshmërisë në planet kombëtare dhe ndërsektoriale.
Gonxhja ka theksuar se Renditja në vendin e parë e Shqipërisë në këtë dimension shihet si një mundësi për të udhëhequr tranzicionin rajonal të gjelbër.
Ai e ka konsideruar këtë vlerësim si një avantazh për tërheqjen e investimeve të huaja të qëndrueshme dhe një dritare për financime të gjelbra nga BE-ja dhe institucionet ndërkombëtare.
"Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në rolin e koordinatorit kombëtar të këtij raporti mbetet e angazhuar për zhvillimin e politikave që promovojnë ekonominë e gjelbër dhe rritjen e qëndrueshme, si pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin evropian", ka theksuar Gonxhja.