BALLKANI

Shqipëria shënon 108-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë që është hapur në tetor të vitit 1981 sot ruhen sende dhe dokumente historike që i përkasin periudhës shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Fatjon Cuka  | 28.11.2020 - Përdıtësım : 29.11.2020
Shqipëria shënon 108-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

FATJON CUKA

Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, që shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar dhe të Shqipërisë. Qeveria e parë e shtetit të ri shqiptar ishte Qeveria e Përkohshme e drejtuar nga Ismail Qemali, e krijuar më 4 dhjetor 1912, qeveri e cila do të funksiononte deri në janar 1914.

Në këtë kuvend ku morën pjesë delegatë nga pothuajse të gjitha trevat shqiptare u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte shkruar me dorë dhe e hartuar në gjuhën shqipe dhe gjuhën osmane.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kulmimi i një procesi ngjarjesh dhe zhvillimesh politike dhe kulturore të kohës si brenda Shtetit Osman, ashtu edhe në Ballkan, por edhe në Shqipëri në veçanti, sidomos Rilindja Kombëtare Shqiptare. 

Konteksti i ngjarjeve që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Shqipëri, Dorian Koçi, për Anadolu Agency (AA) trajton disa aspekte të kontekstit të ngjarjeve në periudhën osmane që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, njohjen nga Shteti Osman, rolin e Ismail Qemalit dhe figurat kryesore shqiptare që kontribuuan në aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai shprehet se Shteti Osman e njohu Pavarësinë e Shqipërisë, ndërkohë, sa i përket elitës shqiptare të kohës, ai vlerëson Ismail Qemalin si figurë me një rol kryesor.

Koçi thekson se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është një evolucion i gjatë i një 30-vjecari ngjarjesh të cilat tronditën sipas tij jo vetëm botën shqiptare, Shtetin Osman apo edhe botën ballkanike, por ishin në një vazhdimësi lineare të disa ngjarjeve të rëndësishme që filluan me fillimet e nacionalizimit në Ballkan.

Në mesin e këtyre ngjarjeve që ai i vlerëson me kontekst të gjerë historik përmend edhe zhvillimet në dy pashallëqet shqiptare, të Ali Pashë Tepelenës dhe të Bushatllinjve, pastaj edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në të cilën sipas Koçit spikat për herë të parë programi i autonomisë shqiptare.

"Sigurisht kemi të bëjmë me një problem më të hershëm që bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes lindore në cilën marrin pjesë shumë aktorë dhe faktorë politikë, fuqitë e mëdha të kohës, fuqitë ballkanike dhe Shqipëria, derisa arrijmë në pjesëmarrjen të shqiptarëve dhe në revolucionin xhonturk më 1908 dhe të elitës shqiptare e cila ishte dyzuar brenda kësaj kohe të qëndronte brenda një çatie të një perandorie të madhe siç ishte Perandoria Osmane (Shteti Osman) për të fituar autonominë apo të ecte drejt variantit të saj të shpalljes së pavarësisë”, shprehet Koçi.

"Ismail Qemali kishte rol kryesor dhe qendror"

Historiani Koçi rolin e Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë e konsideron një rol kryesor dhe qendror.

"Ai (Ismail Qemali) nuk u gjet rastësisht në krye të kësaj lëvizjeje. Ai i përkiste një familjeje shumë të madhe feudale, një familjeje të vjetër fisnikësh shqiptarë Vlora. Kishte një mbështetje të diplomacisë britanike dhe roli i Britanisë së Madhe si një ekuilibruese midis ambicieve të mëdha sllave dhe pansllavizmit në Ballkan, por edhe ekspansionit të austro-hungarezëve në rajon bënin të mundur për të krijuar një Shqipëri të pranueshme për të gjithë. Por duhet të themi që nuk ishte ajo Shqipëri të cilën Ismail Qemali apo dhe elita e tjerë kërkuan për të pasur, pasi ishte një 'Shqipëri londineze' e cila nuk përfshiu një pjesë shumë të madhe të territoreve shqiptare", thekson Koçi.

Si figurë tjetër të rëndësishme që kontribuoi në pavarësinë e Shqipërisë ai përmend Hasan Prishtinën që e konsideron një njeri të aksionit politik.

Gjithashtu tjetër figura të shquara, sipas Koçit, janë anëtarët e kabinetit të Ismail Qemalit të cilët, thekson ai, përfaqësonin një pjesë të rëndësishme të Shqipërisë. Ai thekson se "Jo rastësisht u zgjodhën siç është për shembull ministri i Luftës, Mehmet Pashë Deralla, që u zgjodh nga Tetova pikërisht për të treguar edhe këtë pjesë të rëndësishme të territoreve shqiptare të asaj kohe apo siç mund të jenë të gjitha figurat e tjera Lef Nosi, Mit'hat Frashëri apo Luigj Gurakuqi".

Në lidhje me ndikimin dhe interesin e shteteve dhe fuqive të kohës për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Koçi tha se "Nga shtetet më të fuqishme që ndihmonte sigurisht ishte shteti i Austro-Hungarisë i cili shikonte tek elementi shqiptar një barrikadë të vërtetë për mosrealizimin e ambicieve sllave për të dalë në Detin Adriatik. Po ashtu një shtet tjetër i interesuar ishte shteti italian i kohës që kishte politikën e vet të ekspansionit në Adriatikun Lindor. Ndërsa nga shtetet të cilat kërkonin një Shqipëri shumë të vogël dhe të minimizuar ishte patjetër perandoria cariste që kishte klientë shtetet e veta të Ballkanit, principatën e Malit të Zi, Serbinë e asaj kohe, Bullgarinë dhe shtetin grek." 

Periudha e pavarësisë e dokumentuar në muze

Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë që është hapur në tetor të vitit 1981 sot ruhen sende dhe dokumente historike që i përkasin periudhës së shpalljes dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Vizitorët e huaj por edhe vendas kanë mundësi të shikojnë kopjen e aktit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, pasi dokumenti origjinal është humbur, penën e Ismail Qemalit që ka firmosur aktin dhe sende të ndryshme personale të figurave historike të kohës.

Janë të ekspozuara edhe dokumente të veprimtarisë së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe dokumente dhe fotografi për organizimin e shtetit të pavarur shqiptar në fillimet e veprimtarisë së tij.

Gjithashtu janë të ekspozuara objekte të tjera, si aparati telegrafik i përdorur nga Qeveria e drejtuar nga Ismail Qemali, koleksion pullash postare, gazeta të kohës, shkresa dhe dokumente për organizimin e institucioneve të reja të shtetit shqiptar dhe fotografi të pjesëtarëve të qeverisë së parë shqiptare.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është e dokumentuar edhe në Muzeun e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, i cili është krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Në godinën ku ndodhet sot muzeu, u vendos dhe funksionoi Qeveria e drejtuar nga Ismail Qemali, që u krijua pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Pjesë e tij janë dokumente dhe fotografi të ndryshme.

Shqipëria shënon këtë vit 108-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, si një vend i cili është anëtar i NATO-s, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin e Evropian (BE), dhe me një rol aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.

Për nder të kësaj dite, Shqipëria kremton 28 Nëntorin si Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë dhe në gjithë vendin, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, organizohen aktivitete dhe ceremoni zyrtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın