BALLKANI

"Shqipëria mund të vizitohet nga 30 milionë turistë deri në vitin 2030"

Sipas artikullit të një gazete britanike, pasqyruar edhe në mediat shqiptare, Shqipëria është bërë destinacioni turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë

Fatjon Cuka  | 03.06.2025 - Përdıtësım : 03.06.2025
"Shqipëria mund të vizitohet nga 30 milionë turistë deri në vitin 2030"

Tiranë

Raportohet se Shqipëria mund të tërheqë më shumë se 30 milionë turistë deri në vitin 2030, transmeton Anadolu.

Sipas artikullit të gazetës britanike "Express", pasqyruar edhe në mediat shqiptare, Shqipëria është bërë destinacioni turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë.

Gjithashtu theksohet se autoritetet shqiptare vlerësojnë se deri në fund të dekadës mund të arrihet në shifrën e 30 milionë vizitorëve të huaj.

"Në këtë kontekst, ky nivel do të ishte më shumë se sa marrin aktualisht Portugalia ose Kroacia. Nivelet e turizmit të Shqipërisë janë të tretat me rritjen më të shpejtë në botë, menjëherë pas Katarit dhe Porto Rikos", thuhet në artikull.

Gjithashtu raportohet se midis atyre që investojnë në skenën shqiptare është edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ku kompania e tij ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti në Ishullin e Sazanit.

Ndër të tjera theksohet se plazhet me rërë dhe vendpushimet bregdetare të Shqipërisë, si dhe temperaturat e larta të verës, përbëjnë një "propozim" tërheqës për turistët.

Sipas autoriteteve shqiptare, gjatë vitit 2024 mbi 11 milionë të huaj vizituan Shqipërinë.

Qeveria e Shqipërisë ka në fokus zhvillimin e sektorit të turizmit dhe sipas kryeministrit Edi Rama "në vitin 2030 Shqipëria do të jetë kampione e Ballkanit në turizëm".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.