BALLKANI

Shqipëria merr postin e rëndësishëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Shqipëria do të mbajë postin e zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

Fatjon Cuka  | 01.07.2020 - Përdıtësım : 01.07.2020
Shqipëria merr postin e rëndësishëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së Foto: AA/Arhiv

Tiranë

Shqipëria është caktuar për të mbajtur postin e zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (AP e OKB-së), transmeton Anadolu Agency(AA).

Marrjen e këtij posti e ka konfirmuar në rrjetet sociale Besiana Kadare, përfaqësuesja e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në OKB, e cila shkruan se "Është një nder i veçantë të shërbesh si zëvendespresidente e këtij sesioni historik". 

"Mezi po pres të punoj me ambasadorin Volkan Bozkır, kryetarin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia. Është një privilegj dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme për t'i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një vizibilitet të madh në arenën ndërkombëtare", ka theksuar Kadare, e cila ka marrë mesazhe urimi nga zyrtarë të lartë. 

Kujtojmë se diplomati turk Volkan Bozkır është zgjedhur më parë president i sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i cili në rrjetet sociale ka shprehur urimet e tij për zëvendëskryetarët e sapozgjedhur, përfshirë edhe përfaqësuesen Shqipërisë. "Unë jam i kënaqur që do të punojmë së bashku në këtë sesion historik", ka shkruar Bozkır. 

Ndërkohë, kanë reaguar edhe zyrtarë të lartë të Shqipërisë, si presidenti Ilir Meta dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, duke përcjellë urimet e tyre për ambasadoren Besiana Kadare.

"Caktimi i Shqipërisë për të mbajtur postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është një mundësi shumë e mirë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në këtë institucion tepër të rëndësishëm botëror. Shumë suksese Ambasadores Besiana Kadare në ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësie të lartë", ka shkruar Meta në rrjetet sociale. 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, në mesazhin e tij thekson se kjo zgjedhje "është një sukses kombëtar dhe politik", sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kuvendit të Shqipërisë. 

Secili grup rajonal në OKB përfaqësohet me nënkryetar në Asamblenë e Përgjithshme dhe sipas ambasadores Kadare, Shqipëria do të përfaqësojë Grupin e Evropës Lindore.

Besiana Kadare është vajza e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın