BALLKANI

Shqipëria: Dislokimi i "Arctic Sentry" përreth Grenlandës, konfirmim se siguria euro-atlantike është e pandashme

"Forcimi i pozicionimit të Aleancës në krahun juglindor mbetet po aq thelbësor. Shqipëria i di detyrat e saj dhe i përkthen ato në investime konkrete për sigurinë e vendit dhe të mbarë rajonit", ka theksuar ministri Vengu

Dzihat Aliju  | 12.02.2026 - Përdıtësım : 12.02.2026
Shqipëria: Dislokimi i "Arctic Sentry" përreth Grenlandës, konfirmim se siguria euro-atlantike është e pandashme

Tiranë

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka theksuar se vendimi për dislokimin e operacionit "Arctic Sentry" përreth Grenlandës konfirmon se siguria euro-atlantike është e pandashme, transmeton Anadolu.

Vengu, këtë vlerësim e ka bërë në rrjetet sociale, para takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

"Në vijim të Samitit të Hagës, ku u vendosën objektiva të reja mbi një lexim realist të mjedisit të sigurisë, diskutimet fokusohen sot te përshtatja operacionale e NATO-s, vendimmarrja më e shpejtë dhe shpërndarja më e balancuar e barrës së sigurisë mes aleatëve", ka shkruar ai.

Duke e cilësuar vendimin për dislokimin e operacionit "Arctic Sentry" përreth Grenlandës si konfirmim se siguria euro-atlantike është e pandashme, nga veriu strategjik deri në Mesdhe, ai theksoi se: "Në këtë kuadër, forcimi i pozicionimit të Aleancës në krahun juglindor mbetet po aq thelbësor. Shqipëria i di detyrat e saj dhe i përkthen ato në investime konkrete për sigurinë e vendit dhe të mbarë rajonit".

Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE) njoftoi se Komanda Aleate e Operacioneve të NATO-s (ACO) nisi të mërkurën stërvitjen "Arctic Sentry", me qëllim rritjen e pranisë së aleancës në Arktik dhe Veriun e Largët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın