BALLKANI

Shqipëri, vazhdon Asambleja e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore

Punimet e Asamblesë Plenare të 22-të të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore (MNRA), vazhduan në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ndërkohë pjesë e diskutimeve ishin përfaqësues të UNESCO-s dhe të enteve rregullatore të mediave nga disa vende

Fatjon Cuka  | 29.09.2023 - Përdıtësım : 30.09.2023
Shqipëri, vazhdon Asambleja e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Shqipëria ka organizuar për herë të parë Asamblenë Plenare të 22-të të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore (MNRA), me pjesëmarrjen e delegacioneve nga disa vende dhe organizata, raporton Anadolu.

Punimet e kësaj asambleje vazhduan në ditën e dytë në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ndërkohë pjesë e diskutimeve ishin përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) dhe përfaqësues të enteve rregullatore të mediave nga disa vende.

Përfaqësuesja e UNESCO-s, Ana Cristina Ruelas, në fjalën e saj në hapje të punimeve të ditës së dytë tha se si organizatë punojnë shumë sa i përket edukimit mediatik dhe sipas saj mediat janë përgjegjëse për edukimin mediatik.

"Një nga gjërat që ne citojmë në udhëzime është se kur flasim për programet e edukimit mediatik ne duhet të mendojmë për përforcimin e kapaciteteve të përdoruesve dhe të promovojmë diversitetin kulturor. Kjo është e rëndësishme sepse kjo është ajo që do ta luftojë gjuhën e urrejtjes", tha Ruelas.

Ruelas u shpreh se duan të organizojnë dialog për të ndarë praktikat pasi sipas saj kjo është një mënyrë shumë e mirë për të mësuar nga njëri-tjetri.

"Ne gjithashtu kemi menduar në UNESCO që të zhvillojmë një instrument me standarde ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në kontekstin e qeverisjes digjitale", tha Ruelas.

Pjesë e punimeve të asamblesë ishte edhe një delegacion nga Türkiye, me përfaqësues nga Këshilli Suprem i Radio dhe Televizionit të Türkiyes(RTÜK).

Gjatë punimeve të asamblesë së organizuar nën kujdesin e Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA), Shqipëria ka marrë nga Kroacia presidencën e radhës së MNRA-së.

Pjesëmarrësit nga disa shtete kishin në fokus diskutimeve të tyre çështje që kanë të bëjnë me sfidat me të cilat përballet aktualisht mjedisi mediatik, mbi Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), çështjet e barazisë gjinore, edukimin mediatik dhe dokumentet udhëzues të UNESCO-s.

Rrjeti Mesdhetar i Autoriteteve Rregullatore daton që nga 1997, kur u nënshkrua marrëveshja e parë për krijimin e një rrjeti të përhershëm të Autoriteteve Rregullatore të Mesdheut dhe aktualisht ka 27 anëtarë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.