Shqipëri, tubim në mbështetje të Palestinës
Tubimi me moton “Stop gjenocidin” është organizuar në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, me thirrjen e disa organizatave të shoqërisë civile dhe me mbështetjen e qytetarëve.

Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur sërish tubim dhe marshim në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez, duke u dënuar sulmet dhe masakrat e Izraelit ndaj palestinezëve, raporton Anadolu.
Tubimi me moton “Stop gjenocidit” është organizuar në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, me thirrjen e disa organizatave të shoqërisë civile dhe me mbështetjen e qytetarëve.
Të pranishmit në tubim mbanin flamuj të Shqipërisë dhe Palestinës dhe pankarta me mbishkrimet “Ndalo bombardimin në Gaza", "Të aplikohet zgjidhja me dy shtete", "Ndalo vrasjen e fëmijëve të pafajshëm", "Ndalo krimet e luftës të Izraelit në Gaza", "Të ndalohet rrethimi i Gazës" dhe të tjera.
Aktivisti Floriar Arapi, një nga organizatorët e tubimit, gjatë fjalës së tij në tubim u shpreh se të jesh në anën e Palestinës, është të jesh në anën e drejtësisë dhe kundër tiranisë.
"Izraeli po e përdor urinë si mjet për të shfarosur popullin e Gazës dhe e gjithë bota po e dëshmon këtë krim kundër njerëzimit. Izraeli po vret gjithkënd në mënyrë që t'i bëjë palëestinezët të dorëzohen. Ai(Izraeli) nuk po vret vetëm ato që po luftojnë, shumica dërrmuese e viktimave janë gra dhe fëmijë", tha Arapi.
Pas tubimit u organizua edhe marshim përgjatë Bulevardit "Zogu i Parë", ku pjesëmarrësit bënë thirrje për ndalimin e luftës dhe ndalimin e masakrave ndaj popullit palestinez.
Në Shqipëri janë organizuar më parë edhe tubime të tjera në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez dhe për dënimin e sulmeve të Izraelit ndaj palestinezëve.