BALLKANI

Shqipëri, shënohet me aktivitete 81-vjetori i gjenocidit në Çamëri

Me ligj, 27 qershori në Shqipëri është shpallur në kalendarin kombëtar si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë"

Fatjon Cuka  | 27.06.2025 - Përdıtësım : 27.06.2025
Shqipëri, shënohet me aktivitete 81-vjetori i gjenocidit në Çamëri

Tiranë

Në Shqipërishënohet sot dita përkujtimore për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ndërkohë në vend janë organizuar disa aktivitete, transmeton Anadolu.

Me ligj, 27 qershori në Shqipëri është shpallur në kalendarin kombëtar si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".

Nën kujdesin e Bashkisë Konispol, është organizuar një aktivitet përkujtimor në Varrezat Monumentale të Kllogjerit "Trëndafilat e Çamërisë".

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Shoqata Patriotike Çamëria - Dega Sarandë organizuan gjithashtu aktivitetin me titull “Heshtja vret”.

Pjesë e aktivitetit të organizuar në Sarandë ishin dëshmitë e personave të mbijetuar nga gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Në përkujtim të kësaj dite, zyrtarë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre.

- Gjenocidi në Çamëri

Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.

Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të shqiptarëve të Çamërisë, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.

Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë myslimanë të Çamërisë, që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në vitin 1994 ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si "Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın