Kulturë, BALLKANI

Shqipëri, promovohet Fjalori i Turqizmave në Gjuhën Shqipe

"Fjalori përmban mijëra huazime turke që gjenden në të gjitha të folmet e shqipes brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, duke përfshirë edhe të folmet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi"

Fatjon Cuka  | 06.07.2022 - Përdıtësım : 07.07.2022
Shqipëri, promovohet Fjalori i Turqizmave në Gjuhën Shqipe

Tiranë

Në Tiranë është organizuar aktiviteti i promovimit në turqisht të Fjalorit të Turqizmave në Gjuhën Shqipe, me autore Prof. Asoc. Dr Lindita Xhanari Latifi, botuar me aprovimin dhe mbështetjen e Institutit të Gjuhës Turke (TDK), raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e mbajtur në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministrinë e Shqipërisë ishin të pranishëm zv/ministrja turke e Kulturës dhe Turizmit, Özgül Özkan Yavuz, ambasadori i Türkiye-s në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi, kryetari i Institutit të Gjuhës Turke, Gürer Gülsevin, drejtues i Institucionit të Lartë të Kulturës, Gjuhës dhe Historisë Atatürk, Muhammet Hekimoğlu, studiues, pedagogë dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve turke dhe shqiptare.

Në fjalën e tij, Gülsevin tha se në vite kanë punime dhe studime për kalimin e fjalëve turke në gjuhët e ndryshme të botës dhe një nga këto sipas tij është edhe fjalori i prezantuar sot.

Gülsevin prezantoi dhe një hulumtim me temë "Turqishtja, gjuha e zemrës në Ballkan", ku theksoi se gjëja më e bukur që tregon lidhjen dhe shkëmbimin mes popujve janë elementet gjuhësore.

"Gjuha turke është një gjuhë kryesore dhe e rëndësishme që është përhapur dhe ka jetuar në Siberi, Azinë Qendrore, Kaukaz, Lindjen e Mesme, Anadoll, Evropën Qendrore dhe Lindore që nga periudhat më të hershme të historisë dhe ka mbijetuar deri më sot", tha ai.

Gülsevin u shpreh se gjuhët ballkanike kanë marrë mijëra fjalë nga turqishtja dhe shtoi se: "Një veçori tjetër e fjalëve që kanë kaluar nga turqishtja në gjuhët ballkanike është se shumë fjalë të njëjta janë bartur në të gjitha gjuhët, jo fjalë të ndryshme në gjuhë të ndryshme. Kjo çoi në një unitet shumë të rëndësishëm, unitet gjuhësor midis popujve ballkanikë."

Autorja e fjalorit, albanologia Lindita Xhanari Latifi, përkthyese e letërsisë turke dhe drejtoreshë e Institutit të Studimeve Ballkanike në Universitetin New York në Tiranë, gjatë fjalës së saj tha se fjalori përmban mijëra huazime turke që gjenden në të gjitha të folmet e shqipes brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, duke përfshirë edhe të folmet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Sipas saj për fjalorin janë shfrytëzuar gati në mënyrë shteruese fjalorët dialektorë dhe studimet e deritanishme.

"Ndjeshmëria që kam për turqishten dhe Türkiye-n ishte në unison me objektin e punës shkencore së cilës iu përkushtova krejtësisht. Diçka e tillë erdhi shumë natyrshëm dhe u shndërrua dalëngadalë në detyrim shkencor për të nxjerrë në dritë një realitet gjuhësor të pamohueshëm", u shpreh ajo.

Drejtuesi i Institucionit të Lartë të Kulturës, Gjuhës dhe Historisë Atatürk, Muhammet Hekimoğlu në fjalën e tij falënderoi institucionet shqiptare dhe përfaqësuesit e institucioneve turke, për realizmin e aktivitetit. "Me rastin e Javës së Kulturës Turke jam shumë i lumtur që ndodhem këtu", tha Hekimoğlu.

Shefi i departamentit të albanologjisë në Universitetin e Tiranës, Prof.Dr. Shezai Rrokaj, duke folur për fjalorin tha se është një vepër që është e certifikuar në institucionet më të larta akademike turke.

"Fjalët turke janë futur në perceptimin e shqiptarëve dhe me to ne kemi ndarë dhe miqësinë dhe traditën tonë me vendim mik turk", tha Rrokaj.

Fjalori përmban në rubrika të veçanta edhe fjalësin e emrave të përveçëm, mbiemrave dhe toponimeve që kanë hyrë nga osmanishtja në gjuhën shqipe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.