BALLKANI

Shqipëri, nënshkruhet memorandumi për portin turistik në Durrës

Në fjalën e tij në aktivitetin e nënshkrimit të memorandumit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se bëhet fjalë për një investitor me reputacion global

Fatjon Cuka  | 10.08.2022 - Përdıtësım : 11.08.2022
Shqipëri, nënshkruhet memorandumi për portin turistik në Durrës Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Durrës

Në Shqipëri është nënshkruar sot memorandumi i bashkëpunimit për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina", konkretisht për ndërtimin e portit turistik në Durrës, raporton Anadolu Agency(AA).

Memorandumi u nënshkrua midis "Eagle Hills Real Estate Development", përfaqësuar nga investitori nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company" (Kompania Shqiptare e Zhvillimit të Porteve Detare), për realizimin e projektit në fjalë, një investim prej 2 miliardë dollarësh.

Në fjalën e tij në aktivitetin e nënshkrimit të memorandumit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se bëhet fjalë për një investitor me reputacion global.

"Sot paradite ishim në Ankara me Presidentin Erdoğan. Patëm një takim shumë vëllazëror si gjithmonë dhe ai dëshironte dhe që të më mbante pak më shumë, por unë i thashë kam një arsye shumë të fortë që të kthehem po sot në Shqipëri menjëherë sepse finalizojmë një punë intensive negociatash, diskutimesh, vajtje-ardhjesh nganjëherë edhe si ta them, krisjesh në proces me Muhammed El Alabbar dhe më në fund jemi gati të nënshkruajmë protokollin e bashkëpunimit që i hap rrugë ligjit të veçantë për fillimin e investimit për portin më të madh turistik të Mesdheut", tha Rama.

Rama shtoi se Marina e Durrësit do të hapë rrugën për gjithë bregdetin shqiptar, sipas tij jo thjeshtë për Durrësin dhe se “efekti domino i Portit turistik do të jetë spektakolar.”

Alabbar në fjalën e tij në ceremoni premtoi se do të krijojnë një gjë të veçantë me projektin në fjalë.

“Ne do të krijojmë një gjë kaq të veçantë që kur njerëzit të vijnë, ata të mos duan të largohen kurrë”, u shpreh investitori Muhammed El Alabbar.

Projekti për ndërtimin e Portit të ri turistik të Durrësit është i ndarë në disa faza. Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka konfirmuar më parë se kanë ftuar NATO-n që të marrë pjesë në një bashkëfinancim për pjesën ushtarake të portit të Durrësit, për instalimin e një baze të NATO-s në port.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.