BALLKANI

Shqipëri, mbahet paneli me temë "Emri i Fitores: Turqi"

- Aktiviteti është organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Republikës së Turqisë dhe në panel morën pjesë studiues, pedagogë dhe analistë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Turqia

Fatjon Cuka  | 16.07.2025 - Përdıtësım : 16.07.2025
Shqipëri, mbahet paneli me temë "Emri i Fitores: Turqi" Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Në Shqipëri është mbajtur paneli i diskutimit me temë "Emri i Fitores: Turqi", në kuadër të aktiviteteve për 15 Korrikun, përvjetorin e nëntë të tentativës për grusht shteti në Turqi, aktivitet i organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë, raporton Anadolu.

Pjesë e panelit të moderuar nga Yusuf Özkır, anëtar i Bordit Drejtues të Agjencisë Anadolu, ishin Prof. Dr Ardian Muhaj nga Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, analisti Marlind Laçi, pedagogu Vehap Kola nga Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif dhe asistent profesori Recep Şehitoğlu nga Universiteti Gaziantep.

Në hapje të aktivitetit mbajti një fjalë përshëndetëse zëvendësambasadorja e Turqisë në Tiranë, Naime Öztürk Meral, e cila theksoi se lufta kundër FETO-s është ndër shtyllat themelore të sigurisë kombëtare të Republikës së Turqisë.

"Zhvillimi i këtij aktiviteti në një vend mik si Shqipëria, ku strukturat e organizatës terroriste FETO vazhdojnë të jenë të pranishme dhe aktive, është një hap me shumë rëndësi në drejtim të informimit dhe ndërgjegjësimit të opinionit publik për natyrën dhe rrezikun që përfaqëson kjo organizatë", tha ajo.

Meral u shpreh se FETO është një organizatë kriminale e cila keqpërdor vlerat universale për qëllime të fshehta dhe të paligjshme dhe shtoi se FETO nuk përbën kërcënim vetëm për Turqinë, por edhe për të gjitha vendet dhe shoqëritë ku ka veprimtaritë e saj.

Në hapje të panelit, Özkır u shpreh se FETO përbën një rrezik dhe kërcënim serioz për Turqinë. "Përmes këtyre ngjarjeve domethënëse, veçanërisht atyre jashtë vendit tonë, ne po punojmë për të rritur ndërgjegjësimin dhe formësimin e opinionit publik, si dhe për të shprehur dhe shpjeguar se organizata terroriste FETO mbart një potencial të madh kërcënimi jo vetëm për Republikën e Turqisë, por edhe për vendet e tjera për shkak të stilit dhe qasjes së saj që gjeneron terrorizëm."


- "Ne këtu në Shqipëri realisht lutemi, kërkojmë që edhe Shqipëria të jetë e lirë nga ndikimi i asaj organizate"

Muhaj gjatë fjalës në panel u shpreh se Turqia dhe populli turk janë aleati më i mirë si shtet dhe si popull për shqiptarët dhe kjo sipas tij është dëshmuar .

"Lufta e shtetit turk me puçistët, me organizatën (FETO) ka pasur sfidat e veta, pavarësisht sukseseve. Ne këtu në Shqipëri realisht lutemi, kërkojmë që edhe Shqipëria të jetë e lirë nga ndikimi i asaj organizate. Të mundësohet nga institucionet shqiptare spastrimi i plotë nga elementët destabilizues (të FETO-s)", tha Muhaj.

Analisti Laçi u shpreh se rrezikshmëria e FETO-s shtohet në momentin kur shqiptarët e dinë mirë se kjo organizatë është pjesë e strukturave shtetërore dhe private.

"Mund të përmendim sektorin e arsimit privat, mjekësisë private, sektorin e drejtësisë shtetërore dhe sektorë të ndryshëm, siç mund të jenë sektorët e sigurisë, siç është ushtria apo policia, por edhe segmente që ndodhen në strukturat e inteligjencës së Republikës së Shqipërisë, gjë që e bën më të rrezikshme ekzistencën e kësaj organizate terroriste", tha Laçi, duke folur mbi prezencën e FETO-s në disa sektorë në Shqipëri.

Pedagogu Kola tha se ajo që ndodhi në Turqi më 15 korrik 2016, ishte një përdorim i logjikës së institucioneve autonome të ushtrisë, institucioneve të sigurisë për të rrëzuar dhe nënshtruar vullnetin dhe të drejtën legjitime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike, për të përcaktuar të ardhmen e vendit.

"Pyetjet që ngrihen tani janë kush i kontrollon institucionet, kush i kontrollon të ardhmen e një vendi? E kontrollojnë organizata dhe interesa të grupimeve që janë jashtë institucionalë apo qoftë dhe vetë institucionet që ne i quajmë autonome apo të pavarura, apo këtë rol duhet ta ketë një qeveri që zgjidhet me votën e njerëzve? Përgjigja që qytetarët e Turqisë, Presidenti (Recep Tayyip) Erdoğan, por dhe mbështetësit e demokracisë natën e 15 korrikut i dhanë pyetjeve është që: Duhet të jetë qeveria e mbështetur mbi votën demokratike e cila duhet të vendosë për të ardhmen e një vendi", tha Kola.

Şehitoğlu u shpreh se nata e 15 korrikut 2016 përbën një pikë kthese jo vetëm për demokracinë turke, por edhe për strukturën shoqërore dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit tonë. "Atë natë, një grup brenda ushtrisë turke tentoi përmbysjen e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike", tha Şehitoğlu.


- Në kuadër të panelit u shfaq edhe filmi "15/07 Şafak Vakti"

Gjatë aktivitetit u lexua edhe një mesazh i kreut të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Burhanettin Duran.

Në kuadër të panelit u shfaq edhe filmi "15/07 Şafak Vakti", si dhe u ekspozuan fotografi gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti më Turqi, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO.

Turqia shënon më 15 Korrik, Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, ndërkohë këtë vit shënohet përvjetori i nëntë kur organizata terroriste FETO kreu një tentativë të dështuar grusht shteti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.