Shqipëri, mbahet konferenca mbi financimin e partive politike dhe reformën zgjedhore
Aktiviteti kishte në fokus diskutimet mbi sfidat dhe zhvillimet më të fundit që lidhen me financimin e partive politike dhe proceset zgjedhore në Shqipëri
Tiranë
Në Tiranë është mbajtur konferenca me temë: “Ndërtimi i besimit në votime: Financimi politik dhe reforma zgjedhore në Shqipëri”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, raporton Anadolu.
Aktiviteti kishte në fokus diskutimet mbi sfidat dhe zhvillimet më të fundit që lidhen me financimin e partive politike dhe proceset zgjedhore në Shqipëri.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, gjatë fjalës së tij në aktivitet u shpreh se pavarësisht disa dallimeve, të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë apo dhe të tjerë konsiderojnë se ka nevojë për përmirësime në lidhje me financimin e partive politike.
"Diskutimi mbi financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore vjen sot në një moment shumë të mirë nga pikëpamja kohore. Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, sapo ka filluar punën e tij për këtë reformë, ndërkohë nga ana tjetër është bërë publik angazhimi i partive politike parlamentare, të paktën dy partive kryesore parlamentare, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, për të miratuar brenda muajit dhjetor një ligj të ri për partitë politike", tha Celibashi.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se BE-ja ka mbetur një partner i përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për të forcuar integritetin zgjedhor, sipas tij duke nxitur transparencën, llogaridhënien dhe përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjive digjitale.
"Ndërsa Shqipëria bën përparim drejt anëtarësimit në BE, reformat në financat politike dhe kuadri më i gjerë zgjedhor mbeten thelbësore për përmbushjen e standardeve dhe pritjeve të procesit të anëtarësimit. Këto reforma nuk janë vetëm teknike. Ato janë hapa themelorë drejt forcimit të kontratës sociale midis qytetarëve dhe shtetit dhe besimit të tyre në institucionet demokratike", u shpreh Gonzato.
Në Shqipëri është ngritur Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas Kuvendit të Shqipërisë, ky komision ka objekt të veprimtarisë së tij hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, trajtimin e rekomandimeve në raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
