Shqipëri, mbahet konferenca mbi bankat qendrore dhe historinë ekonomike
- Aktiviteti dyditor ka mbledhur së bashku studiues vendas dhe të huaj, ekspertë nga bankat qendrore të rajonit dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Tiranë
TIRANË (AA) - Në Tiranë është mbajtur konferenca me temë "Bankat qendrore dhe historia ekonomike: Reflektime dhe perspektiva", në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Bankës Qendrore të Shqipërisë, raporton Anadolu.
Aktiviteti dyditor ka mbledhur së bashku studiues vendas dhe të huaj, ekspertë nga bankat qendrore të rajonit dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko, në fjalën e tij në hapje të konferencës u shpreh se konferenca përfaqëson një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin e një prej institucioneve themeltare të shtetit shqiptar.
"Sot Banka e Shqipërisë ruan me përgjegjshmëri stabilitetin e çmimeve, stabilitetin financiar dhe të makroekonomisë. Politikat e saj, bazuar në të dhëna, analiza dhe kërkime shkencore janë të përafruara me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në funksion të shërbimit ndaj publikut", tha ai.
Sejko u shpreh se Banka Qendrore e Shqipërisë ka treguar profesionalizëm, sipas tij, gjithmonë për të shërbyer si forcë stabilizuese në kohë pasigurie
"Jemi të përkushtuar ta ruajmë dhe ta zgjerojmë këtë kujtesë institucionale sepse kuptimi i të kallurës forcon vendimet që marrim për të ardhmen. Rruga e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian ka qenë një shtyllë kryesore e reformave institucionale dhe ekonomike. Banka e Shqipërisë luan një rol tepër të rëndësishëm në këtë proces", tha ndër të tjera Sejko.
Punimet e konferencës kanë në fokus temat mbi origjinën e sistemeve bankare në Ballkan, ndikimin e ngjarjeve historike dhe institucioneve ndërkombëtare financiare në evolucionin e politikave monetare e të bankave qendrore në Shqipëri dhe rajon.
Banka Kombëtare e Shqipërisë është themeluar në shtator 1925 me emërtimin Banka Kombëtare e Shqipnis dhe në shkurt të vitit 1926 emetoi monedhën e parë kombëtare.