BALLKANI

Shqipëri, mbahet Konferenca e kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore

Në hapje të konferencës ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili në fjalën e tij u shpreh se roli i gjyqësorit bëhet edhe më i rëndësishëm, sipas tij teksa shoqëritë përballen me një larmishmëri sfidash

Fatjon Cuka  | 09.06.2025 - Përdıtësım : 09.06.2025
Shqipëri, mbahet Konferenca e kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore Foto: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Në Shqipëri po mbahet Konferenca e kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, me pjesëmarrjen e drejtuesve të gjykatave të larta nga disa vende dhe të zyrtarëve të tjerë, transmeton Anadolu.

Në hapje të konferencës dyditore, ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili në fjalën e tij sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë u shpreh se roli i gjyqësorit bëhet edhe më i rëndësishëm "teksa shoqëritë e vendeve tona përballen me një larmishmëri sfidash".

"Në fjalën e tij, presidenti i Republikës u ndal te përgjegjësia që kanë gjyqtarët e gjykatave të larta, duke theksuar rolin e tyre si garantë të drejtësisë, duke siguruar respektimin e ligjit dhe ruajtjen e të drejtave e lirive themelore të qytetarëve, si dhe ndërtimin e besimit të publikut te drejtësia", thuhet në njoftim.

Begaj ka theksuar se pavarësi e gjyqësorit do të thotë autonomi në gjykim, jo sipas tij shkëputje nga përgjegjësia dhe llogaridhënia.

Në një postim në rrjetet sociale, Begaj gjithashtu ka theksuar se në këtë konferencë ka vlerësuar rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, mbrojtjen e tij nga korrupsioni, influencat e jashtme dhe çdo kërcënim tjetër nëpërmjet sigurimit të transparencës dhe llogaridhënies.

Në hapje të konferencës mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, i cili se temat që do trajtohen në këtë konferencë janë më aktualet dhe më thelbësoret, sipas tij për funksionimin e një shteti të së drejtës, efikas dhe të besueshëm.

"Besimi i publikut në gjyqësor është themeli i çdo sistemi demokratik. Reforma jonë në drejtësi, e nisur mbi 10 vjet më parë në 2014, ka pasur si objektiv pikërisht rikthimin e këtij besimi, përmes një pastrimi të sistemit dhe rritjes së transparencës, integritetit dhe profesionalizmit në gjykata dhe prokurori", është shprehur Manja.

Në këtë konferencë të organizuar nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë marrin pjesë përfaqësues të gjykatave të larta amerikane dhe krerët e gjykatave të larta të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.