Shqipëri, mbahet ceremonia e hapjes së Kongresit të Studimeve Ballkanike
"Kongresi i Studimeve Ballkanike synon të rrisë cilësinë e studimeve pasuniversitare, ndërveprimin akademik dhe lëvizshmërinë brenda rajonit dhe me Türkiye-n, duke u ofruar akademikëve të rinj komunikim të gjithanshëm dhe transferim të përvojës”

Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur ceremonia e hapjes së Kongresit të 2-të të Studimeve Ballkanike, në ambientet universitetit të Fondacionit Turk Maarif, Universitetit New York në Tiranë (UNYT), ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve turke, të organizatave të ndryshme, studiues dhe studentë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fillim të aktivitetit u lexua mesazhi i Kryetarit të Kuvendit të Madh Popullor të Türkiye-s (TBMM), Mustafa Şentop.
Ambasadori i Türkiye-s në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në fjalën e tij tha se rajoni nuk duhet të përmendet më me dhimbjet dhe përvojat e së shkuarës.
"Njerëzit e këtij rajoni kanë vuajtur mjaftueshëm dhe tashmë ky rajon duhet të përmendet me mirëqenien, jetesë bashkërisht, lëvizje brenda rajonit, po ashtu duhet të jetë një pjesë e Evropës, e cila kontribuon për të. Sidoqoftë siguria e Ballkanit është e lidhur së afërmi me sigurinë e Evropës. Edhe Türkiye ka mjaft qytetarë me origjinë shqiptare", tha Atay.
Ambasadori turk theksoi se Türkiye është një shtet që jep kontribute të rëndësishme në rajon, duke shtuar se dëshirojnë aderimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian (BE).
"Türkiye është një shtet me marrëdhënie të veçanta me rajonin. Türkiye është e lidhur me lidhje shumë të fuqishme njerëzore me Ballkanin. Presidenti ynë (Recep Tayyip Erdoğan) ishte në një turne në rajon dhe Bosnjë dhe Hercegovina ishte një nga ndalesat e kësaj vizite. Ne gjithashtu i kushtojmë rëndësi procesit të vazhdueshëm të negociatave dhe dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne parashikojmë se zgjidhja mund të gjendet vetëm përmes dialogut mes dy vendeve. Në Maqedoninë e Veriut problemet ekzistente u zgjidhën deri diku me Marrëveshjen e Prespës, por më pas procesi i negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE u ndal për pak kohë për shkak të kundërshtimeve të një shteti tjetër, mirëpo me anë të disa formulave dhe ky problem u tejkalua", tha Atay.
Ambasadori turk shtoi se gjithashtu mbështesin nismën e “Ballkanit të Hapur”, pasi sipas tij është një nismë që vjen nga brenda rajonit, “është një nismë që do të rrisë lëvizshmërinë brenda rajonit”.
Kryetari i Shoqatës për Edukim dhe Mendim "Fettah Efendi", Sevba Abdullah, tha se kanë besim se mbajtja e kongresit në një qytet të caktuar çdo vit do t'u mundësojë studiuesve të ndërveprojnë me rajonin dhe mes tyre.
"Kongresi i Studimeve Ballkanike synon të rrisë cilësinë e studimeve pasuniversitare, ndërveprimin akademik dhe lëvizshmërinë brenda rajonit dhe me Türkiye-n, duke u ofruar akademikëve të rinj komunikim të gjithanshëm dhe transferim të përvojës”, tha Abdullah.
Abdullah shtoi se shpresojnë që Kongresi i Studimeve Ballkanike do të kontribuojë në përparimin shkencor, bashkëjetesën, zhvillimin dhe të ardhmen e përbashkët.
Kryetari i kongresit të shoqatës, Bujamin Bela, tha se në Kongresin e Studimeve Ballkanike këtë vit do të marrin pjesë 33 studiues nga tetë vende të ndryshme, si nga Türkiye, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Bosnjë dhe Hercegovina, gjë që sipas tij, e bën kongresin një nismë të vërtetë ballkanike.
"Shpresoj që ky kongres t’ju ofrojë një forum për të shkëmbyer ide shkencore, për të frymëzuar kërkime të reja dhe kontakte të reja për një bashkëpunim më të ngushtë, në mënyrë që së bashku të mund të parashikojmë të ardhmen e një zhvillimi premtues të studiuesve të rinj në vendet e Ballkanit”, tha Bela.
Rektori i Universitetit New York në Tiranë (UNYT), Erkan Erdemir, tha se janë shumë të nderuar të mirëpresin Kongresin e 2-të të Studimeve Ballkanike në UNYT.
Duke folur rreth universitetit, Erdemir, u shpre: "Ne po mundohemi që universiteti ynë të jetë i përzgjedhur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon duke sjellë këtu dhe eksperiencën e Türkiye-s në arsimin e lartë. Po tregojmë përpjekje për ndërkombëtarizimin si të kuadrit tonë akademik, ashtu edhe të studentëve tanë".
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe rektori i Universitetit Medeniyet të Istanbulit, Prof. Dr. Gülfettin Çelik dhe kryetari i Shoqatës İLEM nga Türkiye, Abdulkadir Macit.
Aktiviteti shkencor që vazhdon deri më 18 shtator organizohet nën bashkëpunimin e Shoqatës për Edukim dhe Mendim "Fettah Efendi", universitetit të Fondacionit Turk Maarif, Universitetit New York në Tiranë (UNYT), Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik dhe Shoqatës İLEM nga Türkiye.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.