Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur bashkëbisedimi me temë "Letërsia turke në shqip", në kuadër të panairit të librit "Tirana 2025", raporton Anadolu.
Gjatë aktivitetit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë është prezantuar edhe romani "I humburi" (Kaybolan) i shkrimtarit Tarık Tufan, përkthyer në shqip nga Prof. Asoc Lindita Xhanari Latifi, pedagoge e Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, në fjalën e tij tha se një nga misionet dhe detyrat më të rëndësishme për një ambasador është të sjellë më pranë dy popujt. "Ne jemi vërtet shumë afër me njëri-tjetrin", theksoi ai.
"Mua gjithmonë kur më bëhet pyetja se si mund të përshkruhen lidhjet dhe marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë, përgjigja që u jap njerëzve është 'lexoni Sami Frashërin dhe do ta kuptoni të gjithë brendësinë dhe gjithë ndjeshmërinë që kanë këto marrëdhënie'. Mendoj se simboli dhe të pasurit e një shkrimtari të tillë si Sami Frashëri mund të jetë rasti i parë që ndikon në letërsinë e të dyja vendeve dhe që i ka ndihmuar si marrëdhëniet politike dhe gjitha marrëdhëniet e tjera që janë mes dy vendeve", tha Atay.
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në universitetin e Tiranës, Mark Marku, u shpreh se ka qenë pikërisht përkthimi i letërsisë turke në shqip që ka bërë që ai ta njohë letërsinë turke.
"Kjo ngjarje mendoj se është dëshmi e gjallë e një procesi të gjatë të komunikimit ndërkulturor mes kulturës turke dhe kulturës shqiptare. Është një lloj dëshmie e lidhjeve të thella, të gjalla, historike dhe kulturore, por edhe shpirtërore mes dy popujve tanë, një dëshmi e fuqisë së përkthimit si mjet i komunikimit dhe njohjes mes popujve, kulturave dhe letërsive", tha Marku.
Drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oguzhan Sakoglu, në fjalën e tij u ndal në aktivitete e institutit në Shqipëri dhe në vendet e tjera.
"Nga njëra anë kemi aktivitete të ndryshme për mësimin e gjuhës turke dhe nga ana tjetër kemi treguar edhe bashkëpunimin tonë për të shpërndarë më tepër kulturën turke. Emri Yunus Emre është një emër shumë i rëndësishëm. Në momentin që lexon poezitë e tij nuk shihet asgjë tjetër përveç dashurisë dhe mirënjohjes", tha Sakoglu.
Përkthyesja e romanit "I humburi" (Kaybolan) në shqip, Prof. Asoc Lindita Xhanari Latifi, në fjalën e saj tha se ky roman nuk është thjesht një histori; por sipas saj është një "udhëtim i brendshëm, një përballje me kujtimet, një kërkim i identitetit dhe një rikthim tek vetja".
"Ky përkthim ka një domethënie të veçantë për mua. Është romani i 35-të që kam përkthyer. Projekti (TEDA) ka hapur dyert e letërsisë turke drejt gjuhëve të botës. Falë tij, kam pasur mundësinë të përkthej një numër të madh librash dhe më e rëndësishmja: t'ua sjell këto vepra lexuesve shqiptarë, veçanërisht të rinjve, duke u dhuruar atyre kulturën dhe shpirtin e letërsisë turke", tha ajo.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe përfaqësuesja e Shtëpisë Botuese "Muza", Klodiana Metani.
Aktiviteti është organizuar nën kujdesin e Institutit "Yunus Emre" - Tiranë në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese "Muza" dhe pjesë ishin edhe shkrimtarë, studiues dhe studentë.
Edicioni i 28-të i panairit të librit "Tirana 2025" organizohet në datat 12-16 nëntor nën kujdesin Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
